
BEOGRAD- Në kalanë e Petrovaradinit, një nga simbolet e Novi Sadit, po zhvillohen përgatitjet e fundit para hapjes së festivalit muzikor EXIT, që për 25 vjet me radhë ka mbledhur qindra mijëra vizitorë nga mbarë bota. Megjithatë, akrepat e sahatit të njohur në kala – një simbol i vetë festivalit – mund të jenë duke u rrotulluar për herë të fundit për EXIT-in në Serbi. Organizatorët pretendojnë se po përballen me presion nga autoritetet për shkak të mbështetjes së tyre ndaj protestave, në të cilat demonstrues nga mbarë vendi, që tetë muaj, po kërkojnë përgjegjësi për vdekjen e 16 personave në një incident në Novi Sad – qyteti nga i cili e ka origjinën vetë festivali.
Që nga 1 nëntori, kur ndodhi incidenti në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, festivali EXIT, sipas organizatorëve, është rreshtuar në krah të studentëve që udhëheqin protestat. Edhe vetë festivali lindi 25 vjet më parë nga një lëvizje studentore, që kontribuoi në rrëzimin e regjimit autoritar të presidentit të atëhershëm, Sllobodan Millosheviç, në vitin 2000. Ndërkohë, festivali është shndërruar në një simbol të njohur të Serbisë dhe, me rreth 200 mijë vizitorë çdo vit, është futur në hartën e festivaleve më të rëndësishme muzikore në botë.
Por, siç theksojnë organizatorët, ndihma financiare për EXIT-in nga buxheti shtetëror i Serbisë është ndërprerë në të gjitha nivelet e pushtetit – atë republikan, krahinor dhe lokal.
“Përveç ndalimit të financimit nga të gjitha nivelet e pushtetit, disa sponsorë afatgjatë në pronësi shtetërore janë detyruar ta ndërpresin bashkëpunimin me festivalin”, thuhet në një përgjigje të ekipit të EXIT-it për Radion Evropa e Lirë (REL).
“I fundit në një Serbi të tillë”
Mjetet shtetërore të mohuara përbëjnë rreth 15 për qind të buxhetit të përgjithshëm të festivalit EXIT. Organizatorët thonë se as Qeveria e Serbisë, as ajo e krahinës autonome, këtë vit nuk do të marrin pjesë në asnjë mënyrë në realizimin e festivalit, ndërsa në nivelin e qytetit të Novi Sadit kanë vetëm një bashkëpunim teknik me shërbimet komunale. Megjithatë, ata theksojnë se “nuk pranojnë të heshtin”, edhe pse e pranojnë se, në plan afatgjatë, nuk është e mundur të mbahet një festival i përmasave dhe reputacionit të tillë pa bashkëfinancim publik.
Qeveria e Serbisë, Qeveria Krahinore dhe qyteti i Novi Sadit nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it për mungesën e financimit dhe për akuzat për presion ndaj festivalit, deri në momentin e publikimit të tekstit.
“Mbështetja jonë për studentët sot nuk është çështje zgjedhjeje, por çështje identiteti”, thuhet në një deklaratë të ekipit të EXIT-it.
“Edhe pse me këtë mbështetje kemi vënë në rrezik 25 vite ekzistencë, besojmë se liria nuk ka çmim”, përfundojnë ata.
Festivali i sivjetmë, jubilar, i 25-ti me radhë në kalanë e Petrovaradinit, është planifikuar të mbahet nga 10 deri më 13 korrik.
Organizatorët e kanë përshkruar atë si “të fundit në një Serbi të tillë”.
“Bashkë me studentët do të shënojmë 25 vjet bashkëjetesë. Nëse ky është vërtet EXIT-i i fundit në kala, atëherë le të jetë i paharrueshëm. Le të jetë më i fuqishmi deri tani”, kanë transmetuar ata mesazhin për publikun.
Mbështetje nga studentët dhe yjet botërore
Pas njoftimit të parë nga EXIT-i për mundësinë e largimit nga Serbia, studentët që po mbajnë të bllokuar disa fakultete në vend i kanë dërguar një mesazh: “Jemi të lindur nga e njëjta betejë” dhe “qëndrojmë së bashku në luftën për liri”. Studentët nisën bllokadat protestuese në fund të nëntorit të 2024-tës dhe, ndërkohë, janë shndërruar në një lëvizje që ka udhëhequr protestat masive kundër qeverisë gjatë tetë muajve të fundit. Përmes një postimi në rrjetin social Instagram, ata shprehën solidaritet me të gjithë ata që, siç thanë, janë ndëshkuar për mbështetjen ndaj protestave.
“Paratë nga buxheti i shtetit i përkasin të gjithë qytetarëve, e jo partive politike në pushtet. Ato duhet të shërbejnë për të mirën e shoqërisë, e jo për të ndëshkuar organizatat ‘e padëshiruara’”, thuhet në deklaratën e studentëve në bllokadë.
Ata theksuan se nuk e pranojnë idenë se “arti mund të ekzistojë vetëm nëse është i bindur, sepse çdo sulm ndaj arsimit dhe kulturës është sulm ndaj lirisë”. EXIT-it i është ofruar mbështetje nga shumë organizata, yje të muzikës nga rajoni dhe bota, figura publike, si edhe nga audienca ndërkombëtare që e ka ndjekur festivalin ndër vite.
Përveç mbështetjes, edhe zëra kritikë
Krahas valës së mbështetjes, një pjesë e opinionit në Serbi ka adresuar edhe kritika ndaj organizatorëve të EXIT-it.
“Me kalimin e kohës, EXIT u shndërrua në një manifestim shumë fitimprurës dhe komercial. Nuk kam parë ndonjë qëndrim të qartë nga ana e tyre, mendoj se që nga vitet 2000 kjo është hera e parë që reagojnë në këtë mënyrë”, vlerëson për REL-in kritiku muzikor, Petar Janjatoviç.
“Më vjen keq që festivali nuk ka reaguar politikisht më herët, duke vepruar sikur jetojmë në një vend krejtësisht normal, por nga ana tjetër më vjen mirë që tani kanë shprehur një qëndrim”, shton ai.
Disa kanë kritikuar organizatorët për qëndrimin e tyre deri tani të paqartë dhe jo kritik ndaj pushtetit në Serbi, të drejtuar që nga viti 2012 nga Partia Përparimtare Serbe e Aleksandër Vuçiçit. Përkrahja për protestat studentore është vlerësuar nga disa si “e vakët” dhe “e pamjaftueshme”. Nga EXIT-i, megjithatë, përgjigjen se këto kritika vijnë nga ata që “nuk janë të njohur me aktivitetet e festivalit” ose që janë “me qëllim të keq”. Ata theksojnë se EXIT-i ka publikuar dhjetëra mesazhe mbështetjeje për studentët. Deklarata e parë, kujtojnë ata, u bë më 4 nëntor – vetëm pak ditë pas aksidentit në Novi Sad – ku kërkuan të zbulohet përgjegjësia e plotë për shembjen e çatisë në stacionin hekurudhor.
“EXIT i ka mbështetur studentët që nga fillimi i bllokadave, përmes ndihmës logjistike dhe infrastrukturore,” thotë ekipi i festivalit për REL-in.
Në ditët e fundit, përmes postimeve në rrjete sociale, ata kanë kërkuar lirimin e të gjithë studentëve të arrestuar pas protestës së madhe më 28 qershor në Beograd, dhe bllokadave të mëvonshme të rrugëve. Në përgjigjen për REL-in, organizatorët thonë, po ashtu, se kanë “angazhuar” disa yje ndërkombëtare të muzikës që të mbështesin studentët nga Serbia.
“Më e rëndësishmja ndër ta është mbështetja nga ikona e aktivizmit shoqëror në industrinë e muzikës, themeluesi i Live Aid-it, Bob Geldof, i cili do ta hapë edhe edicionin e sivjetshëm të festivalit”, thuhet në përgjigje. Një mesazh për studentët serbë ka dërguar edhe këngëtarja Gala, hiti botëror i së cilës nga vitet ’90, “Freed from desire”, është kthyer në një nga himnet jozyrtare të protestave dhe bllokadave në Serbi.
“Ju do ta shkruani historinë, sepse liria dhe dashuria janë ajo që kërkojmë,”- ka thënë ajo në një video të publikuar në llogarinë e EXIT-it në Instagram.
Siç është paralajmëruar, kënga e saj do të këndohet gjatë ceremonisë së hapjes së festivalit, e cila i është kushtuar studentëve.
Zërat e muzikëdashësve
Natasha nga Novi Sadi kishte shkuar për herë të parë në EXIT në vitin 2009, kur ishte 18 vjeçe.
“Për mua përfaqësonte një revoltë të të rinjve kundër sistemit, por tashmë nuk është më ashtu”, thekson ajo.
Pas lajmeve për mundësinë që EXIT të largohet nga Serbia, fillimisht ishte e zhgënjyer.
“Sepse, disi EXIT është simbol i Novi Sadit, dhe mendova të shkoj të paktën një ditë për t’u përshëndetur me të. Por, pastaj hulumtova pak më shumë, dhe arrita në përfundimin se e gjithë kjo mund të jetë false, ndoshta edhe një truk marketingu”, thotë ajo.
Natasha kritikon qëndrimin e festivalit ndaj pushtetit: Thonë se po mbështesin studentët, por nuk ishin aty kur duhej. Tashmë nuk jam e sigurt nëse dua të shkoj fare këtë vit.
Sandra, po ashtu nga Novi Sadi, dhe pjesëmarrëse në protestat studentore, mendon se EXIT, pavarësisht pretendimeve të organizatorëve, “nuk i ka mbështetur kurrë realisht studentët”.
“Ato storiet në Instagram nuk do të thonë asgjë. Duhet të ndalojmë së trajtuari si viktima”, shton ajo. Këtë vit, ajo nuk e ka ndër mend të marrë pjesë në festival. Jelena, nga Novi Sadi, nga ana tjetër, thekson se do të ishte për të ardhur keq nëse festivali largohet nga Serbia.
“Shpresoj që EXIT të mbetet, ndërsa të largohen ata që e kanë shtyrë drejt largimit”, thotë ajo, duke aluduar në pushtetin aktual në Serbi.
Festivali, sipas saj, i sjell kujtime të bukura: Shoqërime deri në mëngjes me një ekip të mirë, këpucë të mbuluara me pluhur dhe këmbë të lodhura – por gjithmonë me buzëqeshje dhe energji pozitive.
Për Ollgën, nga Novi Sadi, EXIT është shumë më tepër se një festival.
“Është simbol i lirisë, bashkësisë dhe energjisë së veçantë që e ngjyros qytetin çdo vit”, thotë ajo.
Ajo ka ndjekur festivalin rregullisht që nga viti 2013, dhe disa vite ka qenë edhe vullnetare. Për këtë arsye, i vjen keq që ekzistenca financiare e festivalit është vënë në pikëpyetje.
“E kanë themeluar studentët dhe gjithmonë ka qenë një hapësirë mbështetjeje për të rinjtë. Mendoj se e drejta për qëndrim shoqëror nuk duhet të jetë arsye për të mohuar mbështetjen, sepse pikërisht ai shpirt lirie dhe iniciative e ka bërë EXIT-in të madh – dhe të rëndësishëm për gjithë qytetin tonë”, përfundon Olga.
Sërxhani, nga Novi Sadi, kishte shkuar për herë të parë në festival në vitin 2007.
“Për mua, EXIT është një dritare drejt një bote më të bukur dhe më të drejtë”, thotë ai.
Ai përmend disa nga performancat më të dashura për të – që nga Manu Chao e deri te The Cure, Chemical Brothers dhe Fatboy Slim. Megjithatë, deklaratën e EXIT-it për ndërprerjen e mbështetjes shtetërore e konsideron “patetike”. Ai thekson se ka gjëra më të rëndësishme se fitimi, dhe se organizatorët nuk duhet të “ankohen” që u është hequr mbështetja.
“Unë e kuptova njoftimin si një sinjal se ky është EXIT-i i fundit ‘në një Serbi të tillë’. Si të mos jenë të qartë as vetë organizatorët për mesazhin që duan të përcjellin – shpjegimi i tyre është i cunguar”, vlerëson ai.
Ku mund të zhvendoset EXIT-i?
Aktualisht nuk dihet se ku mund të zhvendoset festivali EXIT. Organizatorët theksojnë se, ndër vite, festivali ka organizuar mbi 50 ngjarje të ndryshme në plot 20 vende të botës.
“Ftesa për ta zhvendosur festivalin në një shtet tjetër po vijnë nga disa vende të ndryshme”, shtojnë ata.
Sepse, siç nënvizojnë, EXIT kontribuon në zhvillimin e turizmit, ekonomisë dhe kulturës. Sipas të dhënave të ekipit të EXIT-it, festivali i ka sjellë ekonomisë serbe rreth 300 milionë euro deri më tani. Ata shtojnë se nga ky festival kanë lindur dhjetëra ngjarje të tjera kulturore, dhe se EXIT ka ndikuar edhe në hapjen e shumë organizatave dhe kompanive brenda industrisë muzikore. Përkujtojnë gjithashtu rolin e EXIT-it në ndërtimin e pajtimit rajonal. Këtë rol e thekson edhe kritiku muzikor, Petar Janjatoviç.
“Ka ndihmuar në rivendosjen e lidhjeve mes shteteve të dala pas shpërbërjes së Jugosllavisë”, thotë ai.
Sipas tij, festivali ka qenë për shumë vite një “mikpritës i mirë” për artistët nga rajoni dhe nga vetë Serbia, të cilët, përmes EXIT-it, kanë pasur mundësi të prezantohen përpara një audience ndërkombëtare. Ai nënvizon edhe rolin e festivalit në ndërtimin e imazhit të Serbisë.
“Pas viteve ’90 dhe epokës së Sllobodan Millosheviqit, kur Serbia kishte reputacion të dëmtuar dhe ishte në periferi të vëmendjes ndërkombëtare, papritmas u shfaq një festival që sillte emra të mëdhenj të muzikës, organizohej në mënyrë të jashtëzakonshme dhe mijëra të rinj nga e gjithë bota patën mundësi ta njihnin vendin tonë përmes tij”, thotë Janjatoviç.
Në kalanë e Petrovaradinit, përgjatë dy dekadave e gjysmë, kanë performuar disa nga emrat më të mëdhenj të muzikës botërore – si Arctic Monkeys, The Cure, Nick Cave, Morrissey, Duran Duran. Në edicionin jubilar të sivjetshëm, të 25-tin me radhë, The Prodigy do të performojë për herë të gjashtë në këtë festival. Përveç tyre, disa nga emrat më të mëdhenj të këtij viti janë The Sex Pistols, në një formacion me Frank Carterin, si dhe DJ dhe producenti i njohur francez, DJ Snake.
EXIT, deri më tani, ka fituar dy herë çmimin për Festivalin Evropian të Vitit./REL