
TURQI- Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan, bëri thirrje për një aleancë të vendeve islamike kundër asaj që ai e cilësoi si "kërcënim në rritje" nga Izraeli për okupimin e territoreve në Bregun Perëndimor. Komentet e tij erdhën pas vrasjes së një gruaje amerikano-turke nga forcat izraelite gjatë një proteste kundër zgjerimit të vendbanimeve hebraike të premten.
Në fjalimin e tij, Erdogan theksoi se masat e fundit të Turqisë për përmirësimin e marrëdhënieve me vendet si Egjipti dhe Siria synojnë krijimin e një solidariteti rajonal për t’iu kundërvënë kërcënimit të zgjerimit territorial nga Izraeli, që sipas tij, kërcënon gjithashtu edhe Libanin dhe Sirinë.
“Hapi i vetëm që do ta ndalë arrogancën izraelite, banditizmin izraelit dhe terrorizmin shtetëror të Izraelit, është një aleancë e shteteve islamike”, tha Erdogan.
Deklarata e presidentit turk nxiti reagime të ashpra nga Izraeli. Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, e cilësoi këtë qëndrim si "një gënjeshtër të rrezikshme dhe nxitëse", duke akuzuar Erdoganin për bashkëpunim me Iranin për të minuar regjimet arabe të moderuara në rajon.
Erdogan këtë javë priti në Ankara presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, me të cilin diskutoi për luftën në Gazë dhe mundësitë për rregullimin e marrëdhënieve mes Turqisë dhe Egjiptit, të cilat kanë qenë të tensionuara për një periudhë të gjatë. Vizita e al-Sisit në Turqi shënoi herën e parë që një president egjiptian viziton këtë vend pas 12 vjetësh. Gjithashtu, në korrik, Erdogan shprehu gatishmërinë për të ftuar presidentin sirian Bashar al-Assad në bisedime për përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilat u prishën në vitin 2011 pas shpërthimit të luftës civile në Siri.
Ndërkohë, ushtria izraelite ka bërë të ditur se po shqyrton raportimet mbi vrasjen e shtetases së huaj gjatë protestës në Bregun Perëndimor./ ZËRI