
TURQI- Narin Guran, 8-vjeç, e cila ishte shpallur e zhdukur në datën 21 Gusht, është gjetur e pajetë, në një përrua, 3 km larg banesës së saj. Operacionet kombëtare për kërkimin e saj, mbajtën të mbërthyer opinionin publik në Turqi, pas dyshimeve që në zhdukjen e saj kanë qenë të përfshirë edhe familjarë. Më konkretisht, policia ka arrestuar xhaxhanë dhe vëllanë e saj 18-vjeçar, por ky i fundit u lirua disa ditë më pas për shkak të mungesës së provave që e implikonin në zhdukje.
Autoritetet turke thanë se trupi i 8-vjeçares ishte futur në një thes pas vrasjes, dhe më pas ishte mbuluar me gurë dhe degë pemësh, në mënyrë që të mbuloheshin gjurmët. Ministri i Drejtësisë Yılmaz Tunç, në postimin e tij në rrjetet sociale, tha se hetimi vazhdon në shumë aspekte dhe se përgjegjësit për vdekjen e Narinit do të mbajnë përgjegjësi para drejtësisë.
Zhdukja e të miturës
Gjurmët e fundit të Narin, dokumentuar dhe nga kamerat e sigurisë datonin në datën 21 Gusht, në orën 15:15, teksa e mitura ishte duke ecuar me katër shoqe të saj, derisa kthehej në rrugicën e shtëpisë, e cila gjendej në një kodër.
Gjatë kërkimeve, dy sandale të ndryshme për fëmijë u gjetën më 22 gusht, 3 kilometra nga shtëpia e familjes Guran dhe më 28 gusht, 2 kilometra larg. Mirëpo, në bazë të deklaratave të familjes u konfirmua se të dyja sandalet nuk i përkisnin vajzës së zhdukur.
Arrestimi i të vëllait
Në kuadër të hetimeve për zbulimin e fatit të së miturës, vëllai i madh i Narinit, E.G, 18 vjeç, u arrestua për shkak të shenjave të pickimit në krahun e tij. E.G u lirua pasi nuk mund të përcaktohet nëse shenjat e pickimit ishin nga motra e tij.
Arrestimi i xhaxhait
Në hetimin e kryer dhe ndjekur me vëmendje nga Ministria e Drejtësisë në Turqi, u vu në pranga xhaxhai i Narinit, Salim Guran, gjithashtu kryeplaku i fshatit Tavşantepe. Kjo për shkak se në veshjet e tij janë gjetur monstra të ADN-së që dyshohet se i përkisnin 8-vjeçares, Pasi u procedua nga xhandarmëria, Salim Guran u dërgua në gjykatë me një mjet të blinduar. Më 2 shtator ai u arrestua nga gjykata me akuzën e “vrasjes me dashje” dhe “heqjes së lirisë”. Gjithashtu, në varrezat e fshatit u kryen kontrolle, veçanërisht në varret e hapira së fundi, duke përdorur aparate fotografike nëntokësore nën mbikëqyrjen e prokurorit.
Kërkimi kombëtar për gjetjen e 8-vjeçares
Rreth 150 automjete që kalonin pranë zonës në momentin e zhdukjes së vajzës u hetuan dhe u kryen kontrolle në të gjitha banesat pranë zonës. Në total, u kontrolluan 12,565 automjete, u morën në pyetje 130 persona, u kontrolluan 32,952 persona dhe u përdorën shtatë qen gjurmues për të kontrolluar një sipërfaqe mbi 11,000 hektarë./ZËRI