
BRUKSEL- Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka përsëritur se BE konsideron se formimi i Asociacionit duhet të fillojë menjëherë, pa vonesa dhe kushte. Stano deklaroi se Kosova duhet ta zbatojë urgjentisht detyrimin shumëvjeçar për themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe në vend dhe paralajmëroi se ajo do të përballet me pasoja në rrugën e saj drejt BE-së, nëse dështon ta bëjë këtë.
"Themelimi i Asociacionit të fillojë pa vonesa apo parakushte të mëtejshme. Është një kërkesë e kahershme, është një obligim i kahershëm nga ana e Kosovës, kështu që duhet të zbatohet urgjentisht. Kjo është përsëritur disa herë nga nivelet më të larta të BE-së, kështu që nëse Kosova nuk e arrin ta bëjë nuk do të shihet si shenjë pozitive e gatishmërisë për të vazhduar e që tani është e lidhur me progresin e Kosovës në rrugën europiane", tha Stano.
Themelimi i Asociacionit është parashikuar të krijohet që në vitin 2013 me Marrëveshjen e Brukselit të arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se Asociacioni do të themelohet në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, por pas arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me njohje të ndërsjellë me Serbinë. Draft-statuti iu paraqit Kosovës dhe Serbisë në tetor nga përfaqësues të BE-së, SHBA-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë. Kosova dhe Serbia e pranuan marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në fund të shkurtit dhe një dokument aneks për zbatimin e saj u dakordua në Ohër në mes të marsit. Megjithatë, Kosova insistoi në nënshkrimin e këtyre dokumenteve, të cilat Serbia i refuzoi.
Stano njoftoi se pikëpamja e BE-së lidhur me situatën në veri të Kosovës është bërë e ditur në deklaratën e 27 shteteve anëtare. Ndër të tjera Stano nënvizoi se do jetë i fokusuar edhe në gjetjen e zgjidhjes për çështjen e dinarit. Ai deklaroi se Asociacioni është temë prezente në secilin takim dhe secilin komunikim të zyrtarëve të BE-së me partnerët kosovarë, por shtoi se në takimin e kësaj jave në nivel të kryenegociatorëve, tema kryesore do të jetë për dinarin.
“Takimi i së enjtes është i fokusuar në çështje të tjera, sidomos në çështjet që janë diskutuar javën e kaluar dhe javën më parë për të zgjidhur kryesisht implikacionet e pasojave të vendimit të BQK-së. Asociacioni nuk është tema kryesore, por do të jetë prezente. Është prezente në secilin takim, në të gjitha ndërkomunikimet me partnerët e Kosovës, sepse është një nga kushtet që është vërtet urgjente të zbatohet sa më shpejt dhe pa ndonjë vonesë të mëtejshme”, ka thënë Stano sot në një konferencë për media.
Të enjten më 4 prill do mbahet takimi në nivel të kryenegociatorëve ku teme kyçe pritet të jetë gjetja e zgjidhjes për zbatimin e rregullores së BQK-s. Është ky takimi i tretë brenda më pak se një muaji lidhur me këtë temë. Zyrtarët evropian shprehen optimist se mund të gjendet zgjidhja gjatë takimit të 4 prillit./ZËRI