SHKUP- Kur kanë kaluar më shumë se 24 orë nga atentati ndaj kryekomunarit të Haraçinës, Ridvan Ibraimi, ende nuk ka asnjë autor të vendosur në prangat e Policisë. Personi, i cili qëlloi në drejtim te kreut të komunës Ridvan Ibrahimi, e që plagosi dy persona të tjerë ende nuk është kapur, edhe pse për mediat vendase, autori i plagosjes së dyfishtë është një emër i njohur për drejtësinë. Madje për të ka një fletë arresti për vrasje dhe vepra të tjera kriminale.
Për të mësuar më shumë detaje lidhur me atë që ka ndodhur dhe shkakun që solli atentatin e dështuar me armë zjarri, ZËRI ka kontaktuar me burime zyrtare nga Komuna e Haraçinës. Burimi brenda Komunës (identiteti i të cilit është i njohur për ZËRI), bën me dije se përplasja që u "finalizua" dje ka nisur para 6 muajsh, kur kryetari Ibraimi është sulmuar fizikisht në zyrën e tij të punës. Sulmi ka ndodhur nga disa persona që sipas burimit kanë uzurpuar një tokë, e cila është pronë e Komunës. Pikërisht kjo pronë, ishte planifikuar që të kthehej në stadium. Fillimisht e sulmuan fizikisht Ibraimin, më pas, kur u lajmërua se ndërtimi do të niste shumë shpejtë, ndodhi edhe sulmi me armë zjarri.
"Kryetari Ibraimi, fatmirësisht ka shpëtuar pa lëndime edhe pse ka qenë cak i sulmit, sigurisht i shqetësuar është shumë. Organet e rendit dhe hetuesisë duhet dhe besoj po bëjnë punën e tyre. Është një konflikt i vjetër dhe Kryetari disa herë ka qenë i kërcënuar nga po të njëjtit persona që dyshohet se kanë kryer atentatin e djeshëm por asnjëherë nuk është zbrapsur nga detyra. Edhe tani, pasi të kalojë një periudhë të shkurtër rikuperimi do t'i kthehet detyrës në shërbim të qytetarëve,"-bëri me dije burimi për ZËRI-n.
Ndërkohë sqaroi se gjendja e dy personave të plagosur është stabile dhe jashtë rrezikut për jetën. Të njëjtin version konfirmoi edhe mjeku Nexhati Jakupi, i cili po kujdeset për të dy të plagosurit, Eshtref Selimi dhe Adnan Ajdini. Por theksoi se ky i fundit ishte në gjendje më të rëndë për shkak se plumbat i kishte marrë në kraharor.
“Pacienti është në rikuperim e sipër, natën e ka kaluar në gjendje stabile, prej mëngjesit është duke u liruar nga respiratori që domethënë pritet që Brenda ditës të kalojë në frymëmarrje spontane. Që vetvetiu domethënë se parametrat vitale të pacientit janë në normalizim e sipër dhe kjo na siguron se rikuperimi do të jetë më i shpejtë. Për momentin nuk presim ndonjë komplikim të hershëm, normalisht ende ka hapësirë për kujdes intensive dhe vigjilencë, shpresojmë që të shkojë gjithçka në rregull”, deklaroi Nexhati Jakupi, Drejtor i klinikës torakale.
Ndërsa Prokuroria Themelore Publike ka bërë me dije se deri më tani kanë kryer kontrollin e vendit të ngjarjes për ndonjë mbetje që mund t'i drejtojë tek autorët e ngjarjes, e po ashtu ka urdhëruar marrjen e pamjeve të kamerave të sigurisë. Atentati me armë zjarri ndaj kreut të Haraçinës Ridvan Ibrahimi ndodhi pasditen e djeshme, teksa ai kishte dalë që të mbikëqyrte punimet në një rrugë të fshatit. Pikërisht në atë moment, autori, ndaloi automjetin e tij dhe qëlloi me kallashnikov drejt Ibraimit, por të plagosur mbetën shoferi i kryetarit dhe një nëpunës i Komunës së Haraçinës./ZËRI