
TURQI-Shkëmbimi më i madh i të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës mund të ndodhë javën e ardhshme. Të dy vendet ranë dakord të shkëmbejnë nga 1,000 të burgosur lufte secila, gjatë negociatave në Turqi, bisedimet e tyre të para të drejtpërdrejta që nga viti 2022.
Mediat ukrainase raportojnë se Kirill Budanov, kreu i Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës së ministrisë së mbrojtjes të Ukrainës, po i mbështet shpresat e tij te shkëmbimi që do të ndodhë brenda ditësh.
“Shpresoj që kjo të ndodhë javën tjetër”, shprehet Budanov.
Shkëmbimi ishte i vetmi rezultat thelbësor nga diskutimet e së premtes, të cilat zgjatën më pak se dy orë.
Ndërsa delegacionet po flisnin në Stamboll, mbështetësit evropianë të Ukrainës, shumë prej të cilëve janë në Shqipëri për samitin e Komunitetit Politik Evropian, zhvilluan një telefonatë me Presidentin e SHBA-së Donald Trump. Ndërkohë presidenti i SHBA-ve Trump, ditën e bisedimeve u shpreh "asgjë nuk do të ndodhë derisa unë dhe Putini të takohemi". Trump, ka njoftuar se do të hënën do të zhvillojë bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin dhe atë ukrainas, Volodymyr Zelensky.