
STAMBOLL- Kryebashkiaku i Beshiktashit, i cili është opozitar i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan u arrestua të hënë, nën akuzën për mashtrim dhe pabarazi në tendera, sipas prokurorëve. Riza Akpolat, i cili drejton bashkinë e Beshiktashit në anën evropiane të qytetit, u arrestua në shtëpinë e tij verore në Edremit në bregun perëndimor të Turqisë. Beshiktas ka qenë prej kohësh nën kontrollin e opozitës, Partisë Popullore Republikane.
"Një organizatë kriminale organizoi proceset e tenderit duke dhënë ryshfet kryebashkiakut dhe drejtuesit të lartë të bashkisë, duke siguruar që kompanive të tyre t'u jepeshin tenderët", tha në një deklaratë Zyra e Kryeprokurorit Publik të Stambollit.
Por kryetari i CHP-së, Ozgur Ozel e përshkroi arrestimin si "të paligjshëm në sistemin e politizuar të drejtësisë" dhe u zotua të qëndrojë pranë Akpolat. Kryetari i CHP-së i Stambollit, Ekrem Imamoglu, tha se bastisja e mëngjesit në shtëpinë e Akpolat ishte pjesë e një përpjekjeje për të ndikuar në opinionin publik.
“Procedura e atyre që nuk kanë qëllime ligjore nuk mund të jetë e ligjshme”, tha ai.
Zyra e prokurorit tha se një hetim tre-mujor çoi në urdhër-arrest për 47 persona, duke përfshirë Akpolat dhe Ahmet Ozer, kryebashkiaku i qarkut Esenyurt të Stambollit, përfaqësues i CHP. Skema e manipulimit të tenderëve dyshohet se u drejtua nga Aziz Ihsan Aktas. Ai dhe 24 të dyshuar të tjerë u vunë në pranga me akuzën e krijimit dhe drejtimit të një organizate kriminale, anëtarësimit të një organizate kriminale, ryshfetit, manipulimit të ofertave, shkeljes së ligjeve tatimore dhe pastrimit të pasurive.
Paralajmërimet nga opozita
Kryetari i Bashkisë së Stambollit Ekrem Imamoglu dhe kreu i Partisë Popullore Republikane (CHP) Ozgur Ozel reaguan ashpër ndaj administratës së Presidentit Rexhep Tajip Erdogan gjatë një proteste në mbrëmjen e 13 janarit.
CHP organizoi një 'vigjilje demokracie' jashtë ndërtesës së Bashkisë Beshiktash për të protestuar kundër arrestimit të Akpolat. Duke iu bashkuar turmës, Imamoglu dhe Ozel mbajtën fjalime duke dënuar arrestimin, ndërsa akuzuan qeverinë për veprime të motivuara politikisht kundër figurave të opozitës.
Imamoglu deklaroi qëllimin e CHP-së për t'i rezistuar këtyre veprimeve, duke thënë se “ne do t'u japim një përgjigje politike sulmeve politike. Nuk do t'i lëmë të manipulojnë kutinë e votimit apo të krijojnë një konkurrencë jo të barabartë. Së bashku, ne do t'i fshijmë nga historia e Turqisë dhe do t'i dërgojmë në shtëpi".
Ai kritikoi standardet ligjore të aplikuara në këtë rast, duke vënë në dyshim nëse një shqyrtim i ngjashëm do të drejtohej në proceset e tenderit të Asamblesë së Madhe Kombëtare Turke.
Ozel pretendon shënjestrim më të gjerë të opozitës
Kreu i CHP-së Ozel mbështeti deklaratat e Imamoglu, duke i inkuadruar arrestimet si pjesë e një strategjie më të gjerë për të minuar bashkitë e kontrolluara nga opozita. Ai argumentoi se arrestimi i Akpolat pasqyronte një model veprimesh gjyqësore të drejtuara politikisht, duke akuzuar administratën e Erdoganit për mbrojtjen e aleatëve ndërsa synonte kritikët. Ozel sugjeroi gjithashtu se objektivi përfundimtar i këtyre veprimeve ishte vetë Imamoglu.
“Nëse ata mendojnë se mund të rrëzojnë Ekrem Imamoglu, të cilin nuk e kanë mundur kurrë në karrierën e tij politike, gabohen rëndë. Kjo nuk do të jetë e lehtë”, shtoi Ozel. /ZËRI