Bota

12 ditë në Gaza: çfarë ndodhi ndërsa bota e kishte vëmendjen tek Irani?

"The Guardian" ka bërë një përmbledhje të të gjitha detajeve që na kanë humbur nga luftimet në terren, që as kësaj herë nuk kanë kursyer viktimat në njerëz.

k.m.
12 ditë në Gaza: çfarë ndodhi ndërsa bota e kishte
Foto ilustruese

GAZA- Në javët e luftës së Izraelit me Iranin, të cilën Izraeli e nisi më 13 qershor, ofensiva e në Gaza nuk u ndal. Por çfarë ndodhi gjatë periudhës 12-ditore në Gaza, kur e gjithë bota ishte e fokusuar në "trekëndëshin", SHBA-Iran-Izrael? "The Guardian" ka bërë një përmbledhje të të gjitha detajeve që na kanë humbur nga luftimet në terren, që as kësaj herë nuk kanë kursyer viktimat në njerëz. 

14 qershor

Në ditën e dytë të konfliktit Izrael-Iran, të paktën 20 palestinezë u vranë nga sulmet izraelite në Gaza. Dëshmitarët palestinezë thanë se forcat izraelite qëlluan mbi turmat, ndërsa ushtria izraelite tha se qëlloi me armë paralajmëruese pranë njerëzve që iu afruan forcave të saj.

16 qershor

Para agimit, trupat izraelite hapën zjarr mbi turmat e palestinezëve të uritur që po shkonin drejt dy qendrave të menaxhuara nga GHF (Gaza Humanitarian Foundation). Të paktën 37 persona vdiqën, kryesisht ndërsa përpiqeshin të arrinin në qendrën e GHF pranë qytetit jugor të Rafah, i cili është rrafshuar nga ushtria izraelite. Shumica e viktimave u dërguan në spitalin Nasser, i cili priti më shumë se 300 të plagosur. Më shumë se 200 pacientë u dërguan në një spital fushor të Kryqit të Kuq - numri më i lartë deri më sot.

17 qershor

Në ditën më të përgjakshme prej disa javësh në Gaza, dëshmitarët i përshkruan skenat si “një film horror” pasi forcat izraelite qëlluan drejt një turme që priste kamionë të OKB-së të ngarkuar me miell pranë Khan Younis në jug, duke vrarë të paktën 59 palestinezë dhe duke plagosur qindra të tjerë. Pamjet filmike tregonin njerëz që mbanin qese mielli larg vendngjarjes përpara se IDF të fillonte të qëllonte.

Pak kohë më vonë, palestinezë të plagosur u panë duke mbërritur në një spital në Khan Younis. Incidenti çoi në një pezullim të përkohshëm të "takimeve" të tilla, duke përkeqësuar mungesën e ushqimit. Karburanti, uji i pastër, furnizimet mjekësore dhe shumë gjëra të tjera janë në mungesë dhe me pasoja të tmerrshme humanitare. 

18 qershor

Edhe një herë, turma të mëdha u mblodhën për të “shpërndarë vetë” miellin e ngarkuar për ndihma në Gazën qendrore, por edhe një herë ata u qëlluan nga trupat izraelite. Raportet e çojnë numrin e të vdekurve në 11. Një seri sulmesh ajrore vranë të paktën 24 palestinezë, përfshirë një djalë 9-vjeçar, i cili vdiq në kampin e refugjatëve Bureij.

19 qershor

Zyrtarët e ndihmës thanë se mesatarisht 23 kamionë të OKB-së në ditë hynin në Gaza përmes pikës kryesore të kontrollit të Kerem Shalom, por pranuan se shumica e ndihmave ishin “shpërndarë vetë” nga palestinezët e uritur që i ndaluan, ose ishin plaçkitur nga bandat e organizuara. 15 palestinezë që prisnin ndihmë u vranë në Gazën qendrore. Diku tjetër, rreth 60 persona u raportuan të vrarë në një valë sulmesh ajrore.

20 qershor

Urdhrat e rinj për zhvendosje të lëshuar nga ushtria izraelite bënë që mijëra njerëz të largoheshin nga pjesët lindore të qytetit të Gazës. Diku tjetër, të paktën 24 persona që prisnin ndihmë u vranë. Marwan Abu Nasser, drejtori i spitalit al-Awda në qytetin Nuseirat, tha se stafi i tij kishte trajtuar 21 të plagosur dhe 24 të vdekur.

"Lëndimet ishin jashtëzakonisht të rënda, shumica e tyre në gjoks dhe kokë. Kishte gra, fëmijë dhe të rinj midis të plagosurve", tha Abu Nasser.

21 qershor

Ushtria izraelite nxori trupat e tre pengjeve izraelite nga Rripi i Gazës. Të gjithë ishin vrarë më 7 tetor 2023 gjatë sulmit të Hamasit në Izrael që shkaktoi luftën. 15 shtetas izraelitë dhe të huaj mbeten robër në Gaza, më shumë se gjysma e të cilëve mendohet të jenë të vdekur.

23 qershor

Urdhra të mëtejshëm zhvendosjeje u lëshuan nga ushtria izraelite për pjesë të Khan Younis përpara operacioneve të reja.

24 qershor

25 palestinezë të tjerë që kërkonin ndihmë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën kur forcat izraelite hapën zjarr me plumba dhe tanke në Rafah, rreth 2 km nga një pikë shpërndarjeje ndihmash e mbështetur nga SHBA-të. Shtatë ushtarë izraelitë u vranë në një sulm të Hamasit në Gazën jugore, në një nga incidentet më vdekjeprurëse prej shumë muajsh. Ushtarët vdiqën kur militantët vendosën një bombë në automjetin e tyre të blinduar në Khan Younis./ZËRI

Poll

MOS HUMB