
SHBA- Në çdo rast, do të jetë rezultat historik! Amerika vendos sot nëse Kamala Harris apo Donald Trump do të jetë "banori më i ri" i Shtëpisë së Bardhë, pas një fushate zgjedhore me intensitet të jashtëzakonshëm që mbetet e paqartë deri në minutën e fundit. Qendrat e votimit hapen në orën 06:00 me orën lokale në Bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara (12:00 me orën shqiptare) dhe miliona njerëz do t'i shtojnë votat e tyre më shumë se 80 milionë fletëve të votimit që janë hedhur tashmë në kuti ose janë dërguar me postë.
Është e pamundur të dihet nëse do të duhen orë apo ditë numërimi për të vendosur fituesin mes dy personazheve që nuk mund të ishin më shumë të ndryshëm. Sondazhet e fundit i kanë dy rivalët pothuajse të barabartë në shtatë shtetet kritike.
Demokratja, babai i së cilës është xhamajkan dhe nëna indiane, po organizon natën e saj zgjedhore në universitetin e saj të vjetër, Hoëard në Uashington, i njohur gjithashtu si "Harvardi i zi". Donald Trump do të jetë në Palm Beach, Florida.
Procesi i komplikuar i numërimit të votave
Pasi të mbyllen qendrat e votimit në SHBA, do të fillojë numërimi i votave, një proces që ndryshon sipas shtetit dhe mund të zgjasë disa ditë, veçanërisht nëse ka apelime gjyqësore. Në një vend kaq të madh sa SHBA-ja, që përfshin gjashtë zona kohore , qendrat e votimit fillojnë të mbyllen në orën 00:00, e më e fundit është ora 07.00 e mëngjesit. Më shumë se 80 milionë amerikanë kanë votuar tashmë, si me postë, ashtu edhe në qendrat fizike. Por këto vota nuk mund të numërohen përpara mbylljes së qendrave të votimit, edhe pse ka disa shtete që bëjnë përjashtim.
Në rast të një diferencë të ngushtë midis dy kandidatëve, që ka të ngjarë të ndodhë në shtatë shtetet kryesore, do të nevojiten një ose më shumë rinumërime. Në vitin 2020, fitorja e Joe Biden ndaj Donald Trump u njoftua katër ditë pas ditës së zgjedhjeve. Në vitin 2016, fitorja e Trump ndaj Hillary Clinton u shpall të nesërmen. Në 2008 dhe 2012, Barack Obama ishte në gjendje të festonte fitoren e tij natën e zgjedhjeve.
Por në vitin 2000 emri i fituesit, George ë. Bush, u shpall më 12 dhjetor, 5 javë pas ditës së zgjedhjeve dhe pas një procesi të gjatë rinumërimi dhe disa apelimeve në Florida përpara se të vendoste Gjykata e Lartë.
Ligji amerikan parashikon që të gjitha apelimet zgjedhore duhet të vendosen përpara se të mblidhen 538 të zgjedhurit më 17 dhjetor. Më pas, rezultati i votimeve do të ratifikohet nga Kongresi më 6 janar 2025./ZËRI