
LIPJAN- Agon Zejnullahu, 27 vjeçar nga Lipjani, vdiq në duart e Policisë së Kosovës. Tashmë media "Reporteri" ka publikuar pamjet e kapura me telefon nga një dëshmitar, i cili po ashtu e ka parë të gjithë skenën. Nga pamjet, i riu duket se është i rrethuar nga 5 zyrtarë të Policisë së Kosovës. Teksa tentojnë që ta mbajnë në tokë, një nga efektivët i vënë këmbën në qafë dhe i mbajnë kokën në tokë, duke ia bërë të pamundur frymëmarrjen të riut. Teksa i riu tenton që të çlirohet dhe të marrë frymë, në një moment dorëzohet.
PAMJET E VRASJES:
Qartazi i ka rënë të fikët, në mos ka ndërruar jetë në vend. Edhe pse nuk kishte shenja jete, efektivët tentojnë që ta ngrenë në këmbë dhe i hedhin ujë në fytyrë, por tashmë është tepër vonë.
Kjo ngjarje tw kujton vrasjen e George Floyd ndodhi më 25 maj 2020 në Minneapolis, SHBA, kur një oficer policie, Derek Chauvin, i vendosi gjurin në qafë për mbi 9 minuta gjatë një arrestimi, pavarësisht thirrjeve të Floyd se nuk mund të merrte frymë. Floyd, vdiq në vend, duke shkaktuar zemërim të madh publik dhe duke nxitur protesta masive kundër racizmit dhe brutalitetit policor në SHBA dhe mbarë botën. Rasti u bë simbol i lëvizjes “Black Lives Matter”./ZËRI