KOSOVË- Bekim Sejdiu ka dhënë deklararën e tij të parë për mediat, pasi u propozua nga LVV dhe LDK për President të Kosovës. Në konferencën për mediat, Sejdiu pranoi kandidaturën duke u shprehur se do t'i shërbejë me devotshmëri popullit dhe Republikës së Kosovës.
"Gjatë këtyre negociatave, dy partitë kanë arritur një pajtueshmëri për emrin tim si kandidat presidencial. Gjithsesi, kjo mua më bën të ndihem i nderuar. Besimi që më kanë dhënë përfaqësuesit e dy partive politike — për çka shfrytëzoj rastin publikisht t’i falënderoj — është besim i madh dhe nder i madh. Duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për barrën dhe përgjegjësinë që sjell posti i Presidentit, si dhe për kontekstin aktual politik të Republikës së Kosovës, jam vënë në shërbim të Republikës së Kosovës, të qytetarëve dhe të shtetit tonë, që t’u shërbej me devotshmëri, siç kam bërë gjithmonë, kudo dhe kurdo që më jepet rasti brenda kapaciteteve të mia,"-u shpreh Sejdiu.