KOSOVË-Pas muajsh në ngërç politik, Kosova ka kandidatin për President! Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kanë përfunduar takimin e radhës për çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke arritur një marrëveshje. Kandidat për postin e presidentit do të jetë Bekim Sejdiu, ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.
Marrëveshja mes Kurtit dhe Abdixhikut pritet t’i hapë rrugën nisjes së procedurave parlamentare për zgjedhjen e presidentit të ri. Kurti ka zhvilluar dhe të tjera takime me Abdixhiun, por në asnjërën prej tyre nuk kanë arritur asnjë marrëveshje. Të gjitha partitë e tjera opozitare kanë refuzuar të bashkëpunojnë me Vetëvendosjen.
Zgjedhjet e fundit në Kosovë u mbajtën me 7 qershor, rezultat që u dominua përsëri nga Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, i cili mori 53 mandate. Zgjedhja e Presidentit mbetet një nga nyjet kryesore të krizës institucionale në Kosovë. Për zgjedhjen e kreut të shtetit kërkohet pjesëmarrja e të paktën 80 deputetëve në votim. Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës është Albulena Haxhiu.
Kush është Bekim Sejdiu
Bekim Sejdiu, i lindur në vitin 1974, ka një karrierë të gjatë në drejtësi, diplomaci dhe akademi. Ai ka shërbyer si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga prilli i vitit 2015 deri në vitin 2021, kur dha dorëheqje nga kjo pozitë.
Gjatë mandatit në Gjykatën Kushtetuese, Sejdiu ka qenë gjyqtar raportues në disa raste me rëndësi politike, përfshirë edhe vendimin e vitit 2020 që çoi në rrëzimin e Qeverisë së Avdullah Hotit. Para emërimit në Gjykatën Kushtetuese, Sejdiu ka shërbyer në diplomaci. Ai ka qenë ambasador i Kosovës në Turqi nga viti 2008 deri më 2012, ndërsa më pas ka shërbyer si Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Nju-Jork nga viti 2012 deri më 2014.
Para emërimit si ambasador, Sejdiu ka qenë këshilltar politik në kabinetin e ministrit të parë të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës. Ai është gjithashtu profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ku ligjëron që nga viti 2002.