SHBA-Rritja drastike e çmimeve të naftës për shkak të konfliktit në Iran detyroi administratën amerikane të lehtësojë përkohësisht sanksionet ndaj Rusisë. Administrata Trump sqaroi se synohet të stabilizohet çmimi, i cili ka arritur në 100 dollarë për fuçi, por kjo nuk do të shtojë fitimet e Rusisë për financimin e luftës në Ukrainë.
Trump ka vendosur të lehtësojë përkohësisht sanksionet ndaj naftës ruse, duke lëshuar një licencë 30-ditore për vendet që duan të blejnë produktet energjetike që aktualisht gjenden në anijet në det. Ky vendim vjen si një përpjekje urgjente për të ulur çmimin e “arit të zi”, i cili ka kaluar nivelin e 100 dollarëve për fuçi në bursat botërore.
Ndërkohë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, deklaroi se vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të lehtësuar disa sanksione ndaj naftës ruse “nuk ndihmon paqen”. Sipas tij kjo mund t’i japë Moskës burime të reja financiare për luftën në Ukrainë. Zelenskyy nga një takim në Francë u shpreh se ky vendim mund t’i sigurojë Rusi rreth 10 miliardë dollarë, para që sipas tij mund të përdoren për të financuar pushtimin e plotë të Ukrainës./ZËRI