HAVANA- Zyrtarët e Kubës kanë filluar bisedimet me qeverinë amerikane, tha Presidenti Miguel Diaz-Canel, në mes të një krize të rëndë ekonomike dhe ndërsa qeveria komuniste po përballet me presion në rritje nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump.
"Këto bisedime synojnë të gjejnë zgjidhje përmes dialogut për mosmarrëveshjet dypalëshe që kemi midis dy vendeve", tha Diaz-Canel në një video të transmetuar pak para një takimi të planifikuar me mediat kubaneze.
Takimi me përfaqësuesit e medias shihet si një vazhdim i një ngjarjeje më 5 shkurt, kur Diaz-Canel paralajmëroi se Kuba po i afrohej një situate që do të kërkonte "masa ekstreme", duke pasur parasysh krizën ekonomike, ndërprerjet e rregullta të energjisë elektrike dhe mungesat e karburantit që janë përkeqësuar nga embargoja e naftës e Trump në ishullin e Karaibeve.
Diaz-Canel tha se po drejtonte bisedimet për palën kubane, së bashku me ish-Presidentin kubanez Raul Castro dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Partisë Komuniste dhe qeverisë. Ai nuk tha se kush po merrte pjesë në bisedime në emër të Shteteve të Bashkuara.
Trump ka thënë vazhdimisht se Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë bisedime të nivelit të lartë me përfaqësuesit kubanë. Deri më tani, qeveria kubaneze ka mohuar se po zhvillohen takime zyrtare, por nuk ka mohuar në mënyrë të qartë raportet e medias për diskutime joformale me Raúl Guillermo Rodríguez Castro, nipin e Raúl Castro, i cili është 94 vjeç dhe ende shumë me ndikim. Rodríguez Castro ishte ulur pas Díaz-Canel dhe midis zyrtarëve të Partisë Komuniste.
Që kur Shtetet e Bashkuara rrëzuan Presidentin Venezuelian Nicolas Maduro dhe larguan nga pushteti “bamirësin” më të rëndësishëm të huaj të Kubës në janar, Trump ka ndërprerë dërgesat e naftës venezueliane në Kubë dhe ka kërcënuar të vendosë tarifa për çdo vend që i shet naftë Kubës.
Në javët e fundit, Trump ka bërë një sërë deklaratash, duke thënë se Kuba është në prag të kolapsit ose se është e etur të arrijë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara. Të hënën, Trump tha se Kuba mund të jetë subjekt i një "marrjeje miqësore", dhe më pas shtoi, "mund të mos jetë një marrje miqësore"./ZËRI