Bota

Përfundojnë 7 ditët e zisë! 4 nga 115 të plagosurit në gjendje kritike, protestë në Shkup, kryeministri: Do të luftojmë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari tha se prej 115 pacientëve që po trajtohen jashtë vendit, 8 pacientë pritet që gjatë javës të kthehen për kurim në shtet.

F.I
Përfundojnë 7 ditët e zisë! 4 nga 115 të plagosurit
PAMJE NGA NGJARJA

MAQEDONIA E VERIUT-Shtatë ditët e zisë për 59 viktimat e ngjarjes së ndodhur mëngjesin e 16 marsit kanë përfunduar! Më shumë se një javë nga tragjedia ku 59 persona humbën jetën mëngjesin e 16 marsit një klub nate në Maqedoninë e Veriut, ankthi për rritjen e bilancit të viktimave vazhdon. Autoritetet në Maqedoninë e Veriut njoftuan se katër nga 115 të plagosur që po marrin trajtim jashtë vendit janë në gjendje kritike për jetën.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari tha se prej 115 pacientëve që po trajtohen jashtë vendit, 8 pacientë pritet që gjatë javës të kthehen për kurim në shtet. Ai gjithashtu bëri të ditur se 46 pacientë për momentin po trajtohen në klinikat e vendit ndërsa 16 prej tyre sot do të lëshohen për kurim shtëpiak. Ministri i Shëndetësisë tha se një ekip i kirurgëve plastikë do të qëndrojë në Koçan, në mënyrë që pacientët që do të trajtohen në shtëpi pas kthimit nga klinikat të marrin mbështetjen dhe terapinë e nevojshme, pa pasur nevojë të udhëtojnë.

Ndërkohë edhe pse kanë kaluar 8 ditë nga tragjedia, hetimet vijojnë dhe pritet dënimi për përgjegjësit e zjarrit vdekjeprurës. Të afëmit dhe familjarët e të rinjve që humbën jetën dhe u plagosën në klubin e natës, përveç lutjeve për shërimin e shpejtë të të lënduarve, kërkojnë drejtësi. 

Një tjetër protestë pritet të mbahet pasditen e së hënës, në orën 19:00, në Shkup. Protesta do të nisë në sheshin e kryeqytetit dhe do të vazhdojë para Kuvendit dhe Qeverisë. Në mbështetje të kësaj proteste është shprehur edhe kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski, i cili kërkoi që të mos përdoret politikisht.

“Kjo paraqet problem për ato politikanë të cilët duan të përfitojnë pikë politike nga kjo protestë, dhe tani shohin shanse. Unë absolutisht mbështes shprehjen e revoltës dhe zemërimit sepse shumë gjëra duhet të zgjidhen por do të luftojmë deri në atomin e fundit të energjisë që të përmirësojmë diçka për gjeneratat e ardhshme që vijnë”, tha Mickoski.

Ky nuk është tubimi i parë. Qindra demonstrues të zemëruar u mblodhën edhe para bashkisë për të kërkuar sqarime dhe pasoja. Nën tronditjen e fatkeqësisë së shkaktuar nga zjarri dhe presionit të qytetarëve të zemëruar kryetari i bashkisë, Ljupço Papazov, dha dorëheqjen.

Hetimi

Autoritetet maqedonase kanë arrestuar 23 persona si të dyshuar për përfshirjen në tragjedinë e 16 marsit, mes tyre zyrtarë dhe pronari i klubit të natës. Në mesin e të arrestuarve është ish-ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ish-drejtori për Menaxhim me kriza, Bekim Maksuti dhe ish-sekretarja shtetërore Razmena Çekiç Duroviç. 11 persona ndodhen në paraburgim mbi dyshimet për vepra të rënda penale kundër sigurisë së përgjithshme dhe nxitje e rrezikut të përgjithshëm.  Sipas hetimeve të policisë, zjarri ka ardhur si pasojë e fishekzjarrëve, që janë sjellë nga grupi muzikor. Personi që ishte i dyshuar për këtë vepër ka ndërruar jetë.

Në orën 3 të mëngjesit të 16 marsit një klub nate në Maqedoninë e Veriut u përfshi nga flakët. Si pasojë e zjarrit kanë humbur jetën 59 persona dhe 155 të tjerë janë plagosur. Në ambientet e lokalit ishin mbi 1500 persona, të cilët po ndiqnin një koncert muzikor. Dyshohet se zjarri është shkaktuar si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike. Deri më tani janë ndaluar 15 persona, mes të cilëve edhe zyrtarë shtetërorë, ndërsa mbrëmë janë caktuar masa e paraburgimit për dhjetë persona. Disa nga të dyshuarit janë lënduar nga zjarri dhe ndodhen në spital./ZËRI

Poll

MOS HUMB