Bota

Taksë për beqarët nxit debate në Maqedoninë e Veriut

Deklarata e tij ka shkaktuar reagime të menjëhershme në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë e kanë cilësuar propozimin si të papranueshëm dhe në kundërshtim me të drejtat dhe liritë e njeriut.

k.m.
Taksë për beqarët nxit debate në Maqedoninë e Veriut
Foto ilustruese

SHKUP- Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski ka shkaktuar një debat publik pas deklaratës së tij më të fundit se shteti duhet që të vendosë taksë për personat e pamartuar. Deklaratën, Mickoski e bëri gjatë një interviste televizive, si pjesë të planit të qeverisë së tij për të rritur lindshmërinë. Por edhe pse e përmendi taksën nuk e specifikoi sesa do të ishte shuma që do të duhet që të paguajnë "beqarët" për mungesën e një unaze në gishtin e tyre. 

“Ne jemi duke shqyrtuar forma të ndryshme për të stimuluar rritjen e lindshmërisë. Një nga idetë është vendosja e një takse simbolike për ata qytetarë që zgjedhin të mos martohen deri në një moshë të caktuar, si mënyrë për të inkurajuar krijimin e familjeve.”

Por deklarata e tij ka shkaktuar reagime të menjëhershme në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë e kanë cilësuar propozimin si të papranueshëm dhe në kundërshtim me të drejtat dhe liritë e njeriut. Edhe organizatat për të drejtat e njeriut kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me planin e "beftë" të kryeministrit. Po ashtu nuk kanë munguar as kritikat nga opozita. Sipas tyre, maxhoranca duhet të fokusohet tek politikat sociale për t'i dhënë shpresë të rinjve, jo tek politikat e ndëshkimit.

Është koha t’u japim njerëzve arsye për të qëndruar, për të dashur, për t’u martuar dhe për të pasur fëmijë këtu, sepse ata besojnë se ka një të ardhme këtu. Zgjidhja për shkallën negative të lindshmërisë dhe emigracionin nuk është në taksat poshtëruese, por në tregimin se secili ka vlerën, mundësinë dhe mbështetjen e vet. Ata që duan të qëndrojnë dhe të ndërtojnë një jetë këtu janë të guximshëm, në vend që t’i ndëshkojmë, duhet t’i mbështesim,”-thanë zyrtarë nga LSDM.

“Në vend që të ndëshkohen zgjedhjet personale përmes sistemit tatimor, nevojiten politika që mbështesin familjet e reja, kopshte të përballueshme, punësim të sigurt dhe zgjedhje të lirë të partneritetit dhe prindërimit,”-deklaroi rrjeti kundër diskriminimit.

Por një model të tillë takse ka pasur edhe Shqipëria, gjatë periudhës së regjimit komunist.  Me një dekret që mbante datën 9 Shkurt të vitit 1951, qeveria komuniste e asaj kohe kishte vendosur tatim mbi beqarët. Nuk ishte pak, por niste nga 3% e të ardhurave mujore.

DOKUMENTI:

Taksë për beqarët nxit debate në Maqedoninë e Veriut

Mbi propozimin e qeverisë, Presidiumi i Kuvendit Popullor nxjerr këtë dekret. Më datë 9 Shkurt 1951 mbi tatimin e beqarëve.

Neni 1

Të gjithë shtetasit beqarë, të vejët pa fëmijë dhe të çkurorëzuarit pa fëmijë detyrohen të paguajnë tatim sipas dispozitave të këtij dekreti.

Neni 2.

Tatimi mbi beqarët, të vejët pa fëmijë dhe të çkurorëzuarit pa fëmijë merret nga personat me moshë lart nga 20 vjeç deri 50 vjeç për meshkuj dhe lart nga 20 vjeç deri 40 për femrat. Tatimi fillon të paguhet nga 1 Janari pas vitit që pagëdhënësit kanë mbushur 20 vjetët dhe pushon në mbarim të vitit kalendar në të cilin burrat mbushin 50 vjetet dhe gratë 40 vjetët.

Tatimi fillonte të paguhej nga data 1 janar mbas mbarimit të vitit që personat kishin mbushur 20 vjeç dhe pushonte në mbarim të vitit kalendarik në të cilin meshkujt mbushnin moshën 50 vjeç dhe femrat 40 vjeç. Një taksë e ngjashme u kërkua që të aplikohej edhe në Republikën Serbe të Bosnjës, por propozimi nuk gjeti mbështetje./ZËRI

Poll

MOS HUMB