BRUKSEL-Sistemit Evropian i Hyrjes/Daljes (Entry/Exit System – EES), i cili zëvendëson vulosjen manuale të pasaportave me regjistrimin elektronik të hyrjeve dhe daljeve të shtetasve nga vendet jo-anëtare të Bashkimit Evropian ka hyrë prej muajit prill në fuqi, por udhëtarët po përballen me radhë të gjatë.
Disa aeroporte evropiane kanë parë radhë të gjata me orë të tëra në kontrollin e pasaportave. Pasagjerët madje kanë raportuar edhe fluturime të humbura për në shtëpi, shkruan BBC. Sistemi i ri kufitar i BE-së pothuajse e ka trefishuar kohën që u duhet britanikëve për të kaluar kontrollin e pasaportave edhe pas përmirësimeve të bëra, njoftoi aeroporti kryesor i Romës.
Edhe Ryanair tha se "dështimi i implementimit të EES" po shkaktonte vonesa të panevojshme dhe radhë të gjata. Vështirësi janë raportuar edhe në Portugali. Në aeroportin e Faros, autoritetet kufitare pranojnë se sistemi has herë pas here probleme teknike, duke bërë që pritjet të zgjasin mbi 30 minuta. Megjithatë, vonesat që kalojnë një orë konsiderohen raste të rralla dhe ndodhin kryesisht kur mbërrijnë disa fluturime në të njëjtën kohë.
Nga ana tjetër, Komisioni Evropian thekson se problemet janë të kufizuara dhe se po bashkëpunon me shtetet anëtare për të përmirësuar funksionimin e sistemit.
Me sistemin e ri, udhëtarët do të duhet të skanojnë pasaportat ose dokumentet e tjera të udhëtimit në një qendër vetëshërbimi sa herë që kalojnë një kufi të jashtëm të BE-së. Sistemi do të regjistrojë emrin e udhëtarit, të dhënat biometrike, si dhe datën dhe vendin e hyrjes dhe daljes. Skanimet e fytyrës dhe të dhënat e gjurmëve të gishtërinjve të marra gjatë regjistrimit të parë ruhen në bazën e të dhënave EES për tre vjet. Kështu, kur hyjnë dhe dalin në kufi, udhëtarët do të duhet të japin vetëm një gjurmë gishti ose një foto, të cilat do të krahasohen me të dhënat e ruajtura.