KOSOVË- Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se seanca për konstitumin e legjislaturës së njëmëdhjetë të Kuvendit të Kosovës nuk do të zhcillohet në korrik.
Haxhiu u shpreh se mbledhja e parë e Kuvendit do të mbahet në fillim të muajit gusht dhe se brenda javës së ardhshme do të shpallet dhe data dhe ora e saktë. Afati për konstitumin e Kuvendit është data 7 gusht, pas zgjedhjeve të fundit parlamentare të parakoshme që u mbajtën me 7 qershor.
“Afati kushtetues është deri më 7 gusht dhe në fillim të gushtit do të ketë seancë konstituive. Javën e ardhshme ju premtoj që do ta dini ditën e saktë edhe orën e saktë. Dhe kjo është e rëndësishme edhe për deputetët që në seancën konstituive të jenë të gjithë, 120 deputetët, ashtu siç edhe thekson aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”, tha Haxhiu.
Ushtruesja e detyrës u shpreh se u ka dhënë kohë partive politike që të arrijnë një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit në mënyrë që vendi mos të shkojë sërish në zgjedhje në jashtëzakonshme. Pas konstituimit të Kuvendit, sipas ligjit në Kosovë palët politike kanë 60 ditë afat që të arrijnë në marrëveshje se kush do të jetë në krye të shtetit. Në të kundërt, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon sërish në zgjedhje të parakohshme.
“Duke qenë që pas konstituimit të Kuvendit fillojnë të rrjedhin afatet kohore për zgjedhjen e presidentit, pra janë 60 ditë pas konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e kam vlerësuar që t’u jap partive politike kohën në dispozicion në mënyrë që të mbërrijnë te një marrëveshje, që sapo pastaj të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës, të mos ketë nevojë që të presim 60 ditë për të zgjedhur presidentin, ose të mos vijmë në një situatë, që nuk besoj që dikush e do, që mos ta zgjedhim presidentin dhe që të shkojmë edhe një herë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka thënë Haxhiu./ZËRI