IRAK- Autoritetet irakiane sekuestruan rreth 20 milionë dollarë në para dhe 5 kilogramë ar, të fshehura brenda shisheve plastike të ujit, gjatë një hetimi për korrupsion që përfshin ish-zëvendësministrin e Naftës për Çështjet e Rafinerisë, Adnan Al-Jumaili.
Sipas Këshillit të Lartë Gjyqësor të Irakut, një gjyqtar hetues në Gjykatën Qendrore Penale për Luftimin e Korrupsionit urdhëroi sekuestrimin e një shume shtesë prej 25 miliardë dinarësh irakianë (rreth 19 milionë dollarë), si dhe 1 milion dollarë të tjerë në para.
Në një deklaratë të publikuar nga agjencia shtetërore INA, bëhet me dije se autoritetet konfiskuan gjithashtu stoli ari me peshë rreth 5 kilogramë, si pjesë e hetimit ndaj Al-Jumailit dhe të dyshuarve të tjerë të lidhur me çështjen.
Sipas gjyqtarit hetues, operacioni u zhvillua pas një hetimi të gjerë për të gjurmuar përfitimet financiare të siguruara përmes parregullsive në projektet e realizuara nga i dyshuari dhe persona të tjerë të përfshirë në këtë skemë.
Paratë ishin fshehur brenda shisheve plastike të ujit në banesën e Al-Jumailit në Tikrit, ndërsa një pjesë e tyre ishte fshehur edhe brenda mureve të shtëpisë së ish-zyrtarit.
Sekuestrimi i fundit e çon totalin e aseteve të konfiskuara në këtë hetim në 127 miliardë dinarë irakianë (rreth 97 milionë dollarë amerikanë), si dhe 24 milionë dollarë në para, përveç pasurive të paluajtshme, automjeteve dhe arit të konfiskuar, sipas Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Ndërkohë, hetimi vijon dhe autoritetet po ndjekin edhe të dyshuar të tjerë deri në përfundimin e procedurave ligjore. Javën e kaluar, autoritetet irakiane njoftuan arrestimin e dhjetëra personave të dyshuar në disa raste të mëdha korrupsioni financiar dhe administrativ, mes tyre ligjvënës dhe zyrtarë qeveritarë, të cilëve u ishte hequr imuniteti ligjor.
Arrestimet pasuan deklaratat e bëra gjatë hetimit ndaj Al-Jumailit, i cili u shkarkua nga detyra më 2 qershor 2026, nën akuzat për shpërdorim të fondeve publike dhe dhënie të paligjshme kontratash.
Çështja filloi në tetor 2025, pasi autoritetet morën raportime se kandidatët politikë kishin shpenzuar shuma jashtëzakonisht të mëdha gjatë fushatave zgjedhore parlamentare duke shfrytëzuar burimet shtetërore me mbështetjen e figurave me ndikim në qeverinë e mëparshme. Hetimi u zgjerua pas arrestimit të Jumaili dhe është përshkruar nga gjyqësori si i përfshirë në dyshime për korrupsion financiar, pastrim parash dhe abuzim me burimet publike.
Një operacion më i gjerë i njoftuar më 28 qershor çoi në ndalimin e dhjetëra zyrtarëve aktualë dhe të mëparshëm, figurave politike dhe biznesmenëve. Mediat shtetërore raportuan se më shumë se 15 emra të zbuluar në atë kohë ishin pjesë e një grupi prej 47 të dyshuarish.