SERBI- Ministrja serbe e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, ka reaguar sot lidhur me deklaratë e saj ku u shpreh se nëse do të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviçit do të "spastronte etnikisht Kosovën". Mediat serbe raportojnë se ministrja pretendon se deklarata e saj është nxjerrë nga konteksti dhe i ka kërkuar falje Presidentit Aleksandër Vuçiç.
Panoviç e përshkroi si keqdashës faktin që "vetëm shtatë sekonda nga i gjithë emisioni" u nxorën dhe e gjitha u shndërrua në një çështje politike.
“Kjo ishte historia ime, jo një deklaratë politike. Është e pakëndshme të më duhet të shpjegoj se kjo nuk është politika e presidentit apo e qeverisë”, ka thënë ajo në një intervistë për “Informer TV”.
Ministrja serbe pretendoi gjithashtu se e kishte fjalën për largimin e atyre që “nuk ndiheshin pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë”, ndërsa personat që do të zgjidhnin “veprime terroriste” do të trajtoheshin si terroristë. Ajo e përshkroi vendimin e autoriteteve të Kosovës për ta shpallur atë person non grata si një paradoks, duke deklaruar se vendimi për një "ndalim të përhershëm" të hyrjes në Kosovë u mor nga institucionet e përkohshme të Kosovës.
Cila ishte deklarata e ministres serbe?
Gjatë një interviste për median serbe Kurir, ministrja serbe është shprehur se nëse do të kishte pasur të njëjtën liri veprimi si ish-presidenti serb Slobodan Millosheviç, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
“Për të metat dhe budallallëkun tonë, nëse do të kisha qenë e lirë si Millosheviqi, do ta kisha pastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998”, deklaroi ministrja serbe gjatë një nterviste.
Deklarata e saj shkaktoi polemika të forta e të ashpra, pasi i referohet drejtpërdrejt konceptit të “spastrimit etnik”, që lidhet me krime të rënda gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi dhe luftës në Kosovë. BE dënoi deklartaën duke kërkuar vetëpërmbajtje. Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, po ashtu u shpreh e tronditur ndaj kësaj deklarate, duke e cilësuar si të papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian.
Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, mori vendim dhe e shpalli persona non grata ministren e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezhana Paunoviç, duke ia ndaluar në mënyrë të përhershme hyrjen apo kalimin tranzit përmes Kosovës. Ndërkohë Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha e cilësoi deklaratën si të papranueshme, tronditëse dhe fyese për viktimat e luftës.
Sipas tij, shprehja e keqardhjes që në Kosovë nuk është kryer një spastrim etnik edhe më i madh përbën relativizim dhe normalizim të një prej krimeve më të rënda kundër njerëzimit.



