KOSOVË- Gazetari Ermal Mulosmani ka reaguar në rrjetin sociale Facebook pas publikimit të detajeve të reja nga dosja ndaj analistit Fatmir Sheholli, i cili akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për spiunazh në favor të Serbisë. Në postimin e tij, Mulosmani ndalet te një prej dokumenteve që, sipas tij, është gjetur në telefonin e Shehollit dhe që lidhet me një plan të dyshuar të shërbimit sekret serb për Kosovën.
Sipas Mulosmanit, dokumenti përmban pretendime për krijimin e një Kosove me ekstremizëm islamik, përhapjen e xhamive dhe nxitjen e retorikës fondamentaliste.
“Sipas saj, shërbimi sekret serb kishte për qëllim dhe plan të krijonte një Kosovë me ekstremistë islamikë, përhapjen e sa më shumë xhamive dhe nxitjen e retorikës fondamentaliste islamike”, shkruan Mulosmani.
Mulosmani thekson se kjo tezë është diskutuar prej vitesh në Kosovë, duke përmendur edhe skenarët e një largimi të mundshëm të Perëndimit nga vendi për shkak të radikalizimit fetar.
“Duket se ata zëra kanë pasur pak të drejtë”, shkruan më tejë ai, duke shtuar se komuniteti mysliman nuk duhet ta konsiderojë këtë si sulm ndaj tij, por sipas tij duhet të ketë më shumë kujdes në qëndrimet fetare. Postimi i Ermal Mulosmanit vjen në një kohë kur në Kosovë janë publikuar pjesë të dosjes së Prokurorisë Speciale ndaj Shehollit, ku përfshihen pretendime të tjera lidhur me aktivitetin e tij të dyshuar në favor të BIA-s serbe.
Postimi i Ermal Mulosmanit ne rrjetin e tij social Facebook :
Një shtetas i Kosovës është arrestuar para pak muajsh me akuzën për kryerjen e veprës penale të spiunazhit në favor të Serbisë (Fatmir Sheholli quhet).
Sot në Kosovë janë publikuar disa prova kundër tij, një ndër të cilat ishte më shqetësuesja.
Sipas saj, shërbimi sekret serb kishte për qëllim dhe plan të krijonte një Kosovë me ekstremistë islamikë, përhapjen e sa më shumë xhamive dhe nxitjen e retorikës fondamentaliste islamike.
Ky plan- sipas medias- është gjetur në telefonin e të dyshuarit.
Kjo tezë ka qenë mjaft e pranishme në Kosovë ndër vite. Frika e krijimit të një zone islamike dhe pastaj largimi i perëndimit prej Kosove (madje me një pendim të thellë për ndërhyrjen e 99-ës) është hedhur vazhdimisht në diskutim.
Duket se ata zëra kanë pasur pak të drejtë.
Komuniteti musliman nuk duhet ta shohë këtë si sulm ndaj tyre, thjesht duhet të mbajnë nën kontroll ethet e tyre fetare dhe të moderojnë qëndrimet. Nuk e di a do t'i bëjë mirë apo keq kjo zhvillimeve të ardhme por, nëse do të isha klerik musliman, do ta mbaja parasysh këtë dokument.

/ZËRI