Bota

“Po harxhon miliona dollarë për t’i burgosur”, Meloni replikon ashpër me "Sea Watch": Po ndalojmë trafikun e njerëzve

Organizata joqeveritare “Sea Watch”, akuzoi kryeministren italiane, Giorgia Meloni se po shpenzon miliona euro për të burgosur emigratët në Shqipëri.

I.F
“Po harxhon miliona dollarë për t’i burgosur”,
Edi Rama dhe Giorgia Meloni

ROMË- Anija "Libra" e Marinës italiane është nisur drejt Shqipërisë për të sjellë në vendin tonë grupin e parë të emigrantëve që do të strehohen në kampin e Gjadrit në Lezhë. Por në Itali, nuk kanë të ndalur debatet në lidhje me shumën e parave që do të shpenzohen për këtë marrëveshje. Organizata joqeveritare “Sea Watch”, akuzoi kryeministren italiane, Giorgia Meloni se po shpenzon miliona euro për të burgosur emigratët në Shqipëri.

“Qeveria e vetëshpallur patriote e Melonit po shpenzon miliona euro për të burgosur mijëra emigrantë në Shqipëri. Paratë e taksapaguesve mund të ishin përdorur më mirë”, thuhet në deklaratë.

Pas kësaj, reagoi Meloni e cila tha se qeveria e saj ka punuar për të ndaluar trafikun e qenieve njerëzore përmes një kontrate që gjithashtu mbron edhe kufijtë e Italisë.

“Çfarë skandali! Një qeveri që me një mandat të qartë të marrë nga qytetarët punon për të mbrojtur kufijtë italianë dhe për të ndaluar trafikun e qenieve njerëzore, përmes veprimeve konkrete dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, shkruan Meloni.

Anija "Libra" e Marinës italiane është nisur drejt Shqipërisë. "Libra" po sjell në vendin tonë grupin e parë të emigrantëve që do të strehohen në kampin e Gjadrit në Lezhë. Lajmin e ka bërë me dije media italiane "Corriere". Para se anija të nisej, në bord u krye një kontroll fillestar i të gjithë personave që do të transferohen në Shqipëri.

Anija Libra u nis nga Lampedusa dhe pritet që të mbërrijë në Shqipëri të mërkurën.

Bazuar në protokollin e nënshkruar nga kryeministrja Giorgia Meloni dhe homologu i saj shqiptar, Edi Rama, azilkërkuesit do të marrin një përgjigje brenda katër javësh: nëse përgjigja është pozitive ata do të transferohen në qendrat e pritjes në Itali. Përndryshe, ata do të kthehen në vendin e tyre të origjinës. Komisioni i kryesuar nga prefektura e Romës do të shqyrtojë kërkesat për azil, ndërsa intervistat do të zhvillohen me video lidhje ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë. /ZËRI

ZERI POLL

Ku do t'i kaloni pushimet për këtë verë?

  • Në Shqipëri
  • Do udhëtoj jashtë vendit
  • Jam i/e pavendosur
  • Nuk do të bëj fare pushime

MOS HUMB