Aktualitet

Marrëveshja me Italinë/ Niset anija e parë me emigrantë, të mërkurën vijnë në Shqipëri

Anija Libra u nis nga Lampedusa për në Shqipëri, ku edhe pritet që të mbërrijë të mërkurën. 

k.m.
Marrëveshja me Italinë/ Niset anija e parë me emigrantë,
Kampi i Gjadrit

SHQIPËRI- Anija "Libra" e Marinës italiane është nisur drejt Shqipërisë. "Libra" po sjell në vendin tonë grupin e parë të emigrantëve që do të strehohen në kampin e Gjadrit në Lezhë. Lajmin e ka bërë me dije media italiane "Corriere". Para se anija të nisej, në bord u krye një kontroll fillestar i të gjithë personave që do të transferohen në Shqipëri. 

Anija Libra u nis nga Lampedusa dhe pritet që të mbërrijë në Shqipëri të mërkurën. 

Bazuar në protokollin e nënshkruar nga kryeministrja Giorgia Meloni dhe homologu i saj shqiptar, Edi Rama, azilkërkuesit do të marrin një përgjigje brenda katër javësh: nëse përgjigja është pozitive ata do të transferohen në qendrat e pritjes në Itali. Përndryshe, ata do të kthehen në vendin e tyre të origjinës. Komisioni i kryesuar nga prefektura e Romës do të shqyrtojë kërkesat për azil, ndërsa intervistat do të zhvillohen me video lidhje ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë.

Gjithsesi i gjithë operacioni “Albania” shoqërohet me dyshime si ekonomike, ashtu edhe juridike. Sjellja dhe mbajtja e emigrantëve në dy bazat Shëngjin dhe Gjader ka një kosto dukshëm më të lartë se zbarkimi i tyre në Itali. Një vendim i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë vë në pikëpyetje edhe listën e 22 vendeve që Italia i konsideron “të sigurta”: për të marrë këtë status, asnjë kategori qytetarësh nuk duhet të jetë në shënjestër të diskriminimit dhe trajtimit çnjerëzor. 

Vendet që konsiderohen të sigurta janë këto: Shqipëria, Algjeria, Bangladeshi, Bosnje-Hercegovina, Kameruni, Kepi Verde, Kolumbia, Bregu i Fildishtë, Egjipti, Gambia, Gjeorgjia, Gana, Kosova, Maqedonia e Veriut, Maroku, Mali i Zi, Nigeria, Peruja, Senegali, Serbia, Sri Lanka, Tunizia.

Por sa emigrantë do vijnë në Shqipëri?

Sipas burimeve zyrtare për SYRI TV, emigrantët e parë që do mbërrijnë në Shqipëri janë vetëm 16 meshkuj, të cilët janë shpëtuar në ujërat ekstraterritoriale, ndërsa asnjë prej tyre nuk ka prekur ujërat italiane. 16 emigrantët e parë që pritet të mbërrijnë në vendin tonë ditën e mërkurë, janë nga Bangladeshi dhe Egjipti.

Në kamp, prej muajsh tashmë janë kryer punime restauruese dhe përgatitore, që nga aktivizimi i rrjeteve të ujësjellës kanalizimeve, tek kamerat dhe pajisjet e sigurisë. Brenda godinës do të ketë gjithashtu edhe një staf të UNHCR-së për të monitoruar respektimin e të drejtave të refugjatëve. Kërkesat për azil që kanë depozituar emigrantët do të shqyrtohen brenda 4 javësh.

Marrëveshja me Italinë për emigrantët u nënshkrua në muajin nëntor të vitit të kaluar dhe më pas u ratifikua nga të dyja parlamentet ndërsa në vendin tokë u kërkua edhe një aprovim i gjykatës kushtetuese. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj dhe në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre refugjatët nga territori shqiptar./ZËRI

Poll

MOS HUMB