
BERLIN- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha nga Samiti i Berlinit, se prej 1 janarit të ardhshëm, Kosova do të lejojë lëvizjen e lirë për qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës. Qytetarët e të dy vendeve duhet të pajisen me viza për të lëvizur në dy vendet.
Kurti tha se ky projekt do të sjellë përparime të rëndësishme në rajon dhe mes dy vendeve.
“Ndërsa entiteti i Republikës Sërpska refuzon ratifikimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë me letërnjoftime - të cilën vendi im ka qenë i pari në rajon që e ka ratifikuar në Parlament - unë kam vendosur t'i jap fund pritjes. Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës, në mënyrë të njëanshme, do të lejojë lëvizjen e lirë për mbajtësit e letërnjoftimeve të Bosnje e Hercegovinës. Lidhshmëria është thelbësore për Procesin e Berlinit”, tha Kurti.
Procesi i Berlinit, i cili u themelua dhjetë vite më parë, ka për qëllim mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëndimornë rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian dhe promovimin e iniciativave rajonale./ZËRI