IZRAEL- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të hënën se do të ishte "shumë i ashpër" me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Rripin e Gazës.
"Shumë i ashpër, shumë i ashpër. Por edhe ai (Netanyahu) e dëshiron këtë. Ai do të vijë këtu javën tjetër. Ai dëshiron që edhe kjo të marrë fund", u përgjigj Trump kur u pyet për qëndrimin e tij ndaj kryeministrit izraelit gjatë vizitës së tij të planifikuar në Uashington të hënën e ardhshme.
Izraeli tha të hënën se kishte zgjeruar ofensivën e tij në Rripin e Gazës, me sulme të reja që vranë 17 persona, thanë shërbimet palestineze të shpëtimit.
Lufta filloi me një ofensivë të paprecedentë të Hamasit më 7 tetor 2023, e cila vrau 1,219 persona në anën izraelite, kryesisht civilë, sipas një llogaritjeje të AFP bazuar në shifra zyrtare. Operacioni hakmarrës izraelit ka vrarë 56,331 palestinezë, shumica e tyre civilë, sipas shifrave nga Ministria e Shëndetësisë e Hamasit në Gaza, të cilën OKB e konsideron të besueshme./ZËRI