
UASHINGTON- Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar nuk funksionon më që nga sot. Kështu tha sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, duke shtuar se ndihma e Amerikës në të ardhmen do të jetë e përqënduar për çështje të caktuara dhe e kufizuar. Në një deklaratë që shënon transferimin e USAID-it te Departamenti i Shtetit, si pjesë e përpjekjes së presidentit Donald Trump për të tkurrur shpenzimet e qeverisë federale. Rubio tha se SHBA-të po braktisnin atë që ai e quajti një model të bazuar në bamirësi dhe do të përqendroheshin në fuqizimin e vendeve për t'u rritur në mënyrë të qëndrueshme.
“Gjatë rishikimit të mijëra programeve dhe mbi 715 miliardë dollarëve të shpenzuara gjatë dekadave, u bë e qartë se USAID ka rënë shumë poshtë standardeve për të avancuar interesat e kombit tonë. Nga 1 korriku, USAID do të pushojë së zbatuari ndihmën e huaj. Programet e ndihmës së huaj, që përputhen me politikat e administratës amerikane, do të administrohen nga Departamenti i Shtetit, ku do të ofrohen me më shumë llogaridhënie, strategji dhe efikasitet. Ne do të favorizojmë ato kombe që kanë demonstruar aftësinë ashtu edhe gatishmërinë për të ndihmuar veten dhe do t’i drejtojmë burimet tona në fusha ku ato mund të kenë një efekt dhe të katalizojnë sektorin privat, duke përfshirë kompanitë amerikane, dhe investimet globale. Ky model i ri do t’i jepte përparësi tregtisë mbi ndihmave dhe investimeve mbi asistencën. Kjo lëvizje do ta vendosë Uashingtonin në një pozicion më të fortë se Pekini,"-tha Rubio.
Çfarë është USAID?
Agjencia është krijuar me një urdhër të Presidentit amerikan Kennedy në vitin 1961. Ajo është një ndër agjencitë me potencialin më të madh financiar dhe me një aktivitet të shtirë në të gjithë botën. Vetëm në vitin 2023, buxheti i saj ka qenë 43.4 miliardë dollarë, ndërsa për rajonin e Europës dhe Eurazisë, USAID këtë vit ka dhënë asistencë në vlerën 17.2 miliardë dollarë, në qeverisje, ndihmë humanitare, edukim, agrikulturë, administatë shëndetësi etj. Emri i agjencisë është mjaft i njohur edhe në vendin tonë, pasi ajo ka vepruar në Shqipëri që prej vitit 1992 me hyrjen e demokracisë duke u përfshirë në shumë fusha në Shqipëri, duke shpenzuar gjithsej 500 milion dollarë. Ndihma herë ka qenë në aspektin financiar dhe herë të tjera në nivel ekspertësh./ZËRI