KOSOVË- Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po mbahet sot shqyrtimi gjyqësor ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, ngjarje e ndodhur në nëntor të të vitit 2023. Gjatë seancës së sotme, Murseli ka marrë në dorë foton e bashkëshortes së tij, Liridona, dhe ka deklaruar se grabitësi kishte kërkuar vetëm telefonat dhe paratë.
Murseli ka rrëfyer momentin e ekzekutimit në makinë të Liridonës, ngjarje për të cilën, është i akuzuar vetë ai si porositës. Naimi tha se fëmijët e tyre ndodheshin në makinë, njëri ulur mbrapa tij dhe tjetri pas Liridona Ademajt.
“Njëri fëmijë ka qenë ulur mbrapa meje, tjetri pas Liridonës. Nëse më kujtohet, nuk kanë qenë të lidhur. Ata kanë dalë nga dera e njëjtë”, deklaroi Murseli.
Në mesin e imazheve janë edhe ato të lodrave të fëmijëve, të lëna pas. Gjykata ka shqyrtuar gjithashtu armën që dyshohet të jetë përdorur në vrasje, të blerë nga Murseli nga Granit Plava, i cili i kishte thënë se do ta shiste dyfish të nesërmen. Sipas Murselit, ky ka qenë qëllimi i blerjes së armës.
“Ai tha që e shet dyfish të nesërmen. Kjo ishte arsyeja, me atë qëllim e kam blerë. Hiç asnjë përfitim nuk e kisha pasë nëse e kish shitë dyfish. Vetëm m’i ndihmu, sepse ishte bashkëfshatar i imi dhe shok i Kushtrimit. Nuk e kam ditë gjendjen ekonomike të tij”, deklaroi Murseli.
Kur u pyet nëse e dinte që po me atë armë ishte vrarë bashkëshortja e tij, Murseli iu përgjigj shkurt: “Po.”
Liridona Murseli, 30 vjeçe, u vra më 29 nëntor 2023, në fshatin Bërnicë, disa kilometra larg kryeqytetit Prishtinë. Rasti fillimisht u raportua si vrasje gjatë përpjekjes për grabitje, por, vetëm dy ditë më vonë, policia i arrestoi bashkëshortin e saj Naim Murseli dhe dy të dyshuarit e tjere, mes të cilëve ekzekutorin Granit Pllava. Motivet për vrasjen e saj nuk janë ende të qarta, por policia dyshon se Naim Murseli e porositi vrasjen e gruas së tij nënë e dy fëmijëve dhe se dorasit i premtoi 30.000 euro. /ZËRI