ITALI- Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni mund të japë dorëheqjen në mars të vitit 2027, pas samitit të Këshillit Evropian që pritet të zhvillohet në Romë.
Sipas La Repubblica, kryeministrja Giorgia Meloni planifikon të japë dorëheqjen pas Këshillit Evropian në mars, i cili do të festojë përvjetorin e nënshkrimit të Traktateve të Romës.
Kjo do të lejonte zgjedhje të parakohshme që në maj. Megjithatë, ka më shumë të ngjarë që qeveria të zgjidhte një "ditë zgjedhjesh" në qershor, duke bashkuar edhe zgjedhjet lokale. Përveç rinovimit të Parlamentit, zgjedhjet do të përfshinin edhe kryetarët e disa bashkive, duke përfshirë Milanon, Torinon, Romën, Napolin dhe Bolonjën.
Sipas raportimit të La Repubblica, ky skenar është diskutuar nga Meloni gjatë takimeve të fundit me aleatët e saj në qeveri, Antonio Tajani, Matteo Salvini dhe Maurizio Lupi.
Sipas raportimit, samiti evropian në Romë, i parashikuar për të shënuar 70-vjetorin e nënshkrimit të Traktateve të Romës, mund të shërbejë si momenti i fundit i rëndësishëm ndërkombëtar për kryeministren përpara se t’i kërkojë Presidentit të Republikës shpërndarjen e Parlamentit dhe caktimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Zgjedhje pranvere apo në qershor?
Data e parë e mundshme për votimet do të ishte 16 maji 2027, ndërsa skenari që konsiderohet më i mundshëm është zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare dhe atyre lokale në të njëjtën ditë, gjatë muajit qershor.
La Repubblica shkruan se bashkimi i dy proceseve zgjedhore do të ishte një mundësi për të organizuar votimet e parakohshme, disa muaj përpara përfundimit të mandatit aktual parlamentar, që pritet në vjeshtën e vitit 2027.
Megjithatë, drejtuesit e koalicionit të djathtë vazhdojnë të deklarojnë publikisht se zgjedhjet do të zhvillohen në afatin e zakonshëm. Për momentin, nuk ka një njoftim zyrtar për dorëheqjen e Melonit apo për caktimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Paralelisht me diskutimet për zgjedhjet parlamentare, kampi i djathtë në Itali ka përshpejtuar punën për përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet lokale në qytetet kryesore të vendit. Përzgjedhja e kandidatëve ka sjellë diskutime brenda partive të koalicionit, ndërsa drejtuesit synojnë të gjejnë një marrëveshje përpara se fushata zgjedhore të hyjë në fazën intensive.
Megjithatë, ideja e zgjedhjeve të parakohshme mbetet deri tani, një skenar i raportuar nga mediat dhe jo një vendim i shpallur zyrtarisht./ZËRI