Bota

Britania ngre alarmin për sulme kibernetike e terroriste, qytetarëve u kërkohet të mbajnë rezerva për 3 ditë

Familjeve u rekomandohet të sigurojnë rezerva ushqimore, ujë, ilaçe, para cash dhe pajisje të nevojshme për të përballuar të paktën tri ditë pa shërbimet bazë.

M.K.
Britania ngre alarmin për sulme kibernetike e terroriste, qytetarëve u
LONDER

BRITANI E MADHE- Qeveria britanike po përgatit një fushatë informuese për t’i nxitur qytetarët të jenë gati për situata emergjente, nga sulmet kibernetike dhe terroriste deri te ndërprerjet e furnizimeve jetike. Familjeve u rekomandohet të sigurojnë rezerva ushqimore, ujë, ilaçe, para cash dhe pajisje të nevojshme për të përballuar të paktën tri ditë pa shërbimet bazë.

Sipas gazetës italiane Corriere della Sera paralajmërimi është bërë nga ministri britanik Wes Streeting, i cili ka ngritur shqetësimin për pasojat që mund të sjellin sulmet ndaj sistemeve dixhitale dhe ndërprerja e zinxhirëve të furnizimit. Ai ka vënë në dukje edhe rrezikun që paraqet një ndërprerje e sistemit të pagesave në supermarkete, e shkaktuar nga veprimet e shteteve armiqësore ose të grupeve terroriste.

Fushata e quajtur 'Be Ready' para jini gati pritet të nisë gjatë muajve të ardhshëm. Përmes sajqytetarët do të marrin udhëzime për përgatitjen e një kompleti emergjence, që mund t’u nevojitet në rast të ndërprerjes së shërbimeve ose nëse duhet të largohen papritur nga banesat e tyre.

Sipas rekomandimeve, çdo person duhet të ketë të paktën nëntë litra ujë për tri ditë, krahas rezervave shtesë për gatim dhe higjienë. Në shtëpi këshillohet të mbahen edhe ushqime që nuk prishen dhe nuk kërkojnë frigorifer apo gatim, si dhe batanije pajisje për ndriçim, radio me bateri, ilaçe të domosdoshme, para cash dhe kopje të dokumenteve të identifikimit.

Ministri Streeting ka paralajmëruar se kërcënimet ndaj sigurisë nuk duhen konsideruar më si skenarë të largët. Ai ka theksuar nevojën që Britania të forcojë aftësinë për t’u përballur me krizat, duke e lidhur qëndrueshmërinë e vendit me sigurinë kombëtare.

“Përballë këtyre kërcënimeve, që nuk janë hipotetike, por reale, dhe që nuk ndodhen diku tjetër, por gjithnjë e më shumë këtu, duhet ta marrim seriozisht qëndrueshmërinë tonë kombëtare po aq sa sigurinë kombëtare”, është shprehur ai.

Streeting ka përdorur gjithashtu termin 'terrorizëm shtetëror' për të përshkruar rreziqet që vijnë nga veprimet e shteteve armiqësore, duke argumentuar se shprehja 'luftë hibride' nuk e pasqyron plotësisht natyrën e kërcënimeve me të cilat përballet vendi.

Nisma ka nxitur edhe kritika për mundësinë e krijimit të panikut te qytetarët. Megjithatë ministri ka sqaruar se qëllimi i qeverisë është që publiku të jetë i informuar dhe i përgatitur jo i alarmuar.

Shqetësimet janë shtuar pas raportimeve në mediat britanike se anije ruse të maskuara si mjete tregtare peshkimi dyshohet se kanë vëzhguar rrjetin e kabllove nënujore pranë Britanisë. Këto infrastruktura mbartin pjesën dërrmuese të trafikut të internetit dhe dëmtimi i tyre mund të shkaktojë pasoja të rënda për komunikimet dhe shërbimet dixhitale.

Një tjetër pikë e ndjeshme është furnizimi me ushqime. Britania importon rreth gjysmën e produkteve ushqimore, çka e ekspozon ndaj pasojave të mundshme të ndërprerjeve të zinxhirëve ndërkombëtarë të furnizimit.

Sipas Corriere della Sera mbështetja e vazhdueshme e Londrës për Ukrainën e ka vendosur Britaninë në shënjestër të propagandës dhe kërcënimeve nga Kremlini. Në këtë kontekst sulmet kibernetike dhe ndërhyrjet ndaj infrastrukturës kritike konsiderohen rreziqe që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve.

Fushata për përgatitjen e familjeve pritet të shoqërohet edhe me përpjekjet e qeverisë për të bindur publikun mbi nevojën e rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen në një kohë kur siguria dhe aftësia për t’u përballur me emergjencat po marrin rëndësi të shtuar në Britaninë e Madhe.

Poll

MOS HUMB