
SHBA-Kongresi amerikan është mbledhur sot për të certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2024. Ky është hapi i fundit procedurial përpara inaugurimit të Presidentit Donald Trump, më 20 janar. Rezultatet paraprake treguan se Trump fitoi 312 vota të kolegjit elektoral përkundrejt 226 që mori Harris. Ishte Kamala Harris, ajo e cila drejtoi mbledhjen dhe shpalli përfundimisht fitoren e rivalit të saj në zgjedhjet presidenciale.
“Gjendja e votës për presidentin e Shteteve të Bashkuara, siç i është dorëzuar presidentit të Senatit, është si vijon: numri i plotë i zgjedhësve të caktuar për të votuar për presidentin e Shteteve të Bashkuara është 538. Brenda këtij numri të plotë, shumica është 270. Votat për president të Shteteve të Bashkuara janë si më poshtë: Donald J Trump i shtetit të Floridës ka marrë 312 vota”, tha Harris.
Pas fjalës së saj, duartrokitje të forta shpërthyen nga republikanët. Më pas Harris vijoi fjalën duke njoftuar edhe votat që mori ajo vetë në këtë përballje me Trump. Ai pritet të bëjë betimin dhe do të marrë zyrtarisht detyrën si president i rradhës i SHBA-ve në 20 janar, një mandat i dytë historik i tij./ZËRI