KIEV- Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy ka bërë thirrje për një armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar në vend. Po ashtu, një delegacion ka mbërritur në Londër për bisedime me aleatët perëndimorë të Kievit, mes aktivitetit diplomatik të ditëve të fundit dhe raporteve për një propozim amerikan për zgjidhjen e luftës.
Zyrtarë nga SHBA, Ukraina, Britania, Franca dhe Gjermania po zhvillojnë sot një tjetër takim në Londër për një raund të dytë bisedimesh që pason raundin e parë të mbajtur në Paris. Megjithatë, anulimi i pjesëmarrjes së Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio në bisedime rezultoi në “ngrirjen” e tyre, duke mos lënë hapësirë për një rezultat pozitiv së shpejti, pavarësisht paralajmërimeve të fundit nga presidenti amerikan Donald Trump tërheqjen amerikane nga procesi i paqes nëse nuk ka përparim drejt arritjes së një marrëveshjeje së shpejti.
“Po negociatave, jo dorëzimit”
“Ne këmbëngulim për një armëpushim të menjëhershëm, të plotë dhe të pakushtëzuar”, tha Zelenskyy në një postim në Telegram, duke përsëritur qëndrimin e tij se negociatat e paqes mund të fillojnë vetëm pasi të shpallet një armëpushim.
Nga ana e saj, Julia Svirentenko, zëvendëskryeministrja e qeverisë ukrainase, deklaroi se Ukraina është e gatshme të negociojë, por jo të dorëzohet.
"Nuk do të ketë asnjë marrëveshje që do t'i japë Rusisë themelin më të fortë që i nevojitet për t'u kthyer në një forcë më të madhe", theksoi Svirentenko në një postim në X.
"Populli ynë nuk do të pranojë një konflikt të mbetur pezull, por i maskuar si paqe", shtoi ajo.
Propozimi i Uashingtonit
Deklarata e saj vjen në një kohë kur Uashingtoni pret një përgjigje nga Kievi për një kornizë paqeje që propozoi, e cila parashikon njohjen de fakto të kontrollit të Rusisë mbi pothuajse të gjitha territoret që ka pushtuar që nga shpërthimi i luftës në shkurt 2022 dhe njohjen de jure të Krimesë si një sovranitet i Rusisë. Një ultimatum u lëshua të mërkurën, në radhë të parë Ukrainës dhe në radhë të dytë Rusisë, për të arritur një marrëveshje paqeje së shpejti, nga zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, J.D. Vance, duke demonstruar se presidenti amerikan Donald Trump, i cili kishte deklaruar se do t'i jepte fund luftës menjëherë, ka filluar të humbasë durimin.
“Ne u kemi paraqitur një propozim shumë specifik rusëve dhe ukrainasve dhe është koha që ata ta pranojnë ose Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga procesi”, u tha zëvendëspresidenti amerikan gazetarëve pas vizitës së tij në Taj Mahal në Agra, Indi, ku po qëndron.
Ultimatumi i Vance ndaj Ukrainës për një marrëveshje me Rusinë
Deklarata e Vance merr një rëndësi të veçantë pasi amerikanët, ukrainasit dhe evropianët po takohen në Londër për një raund të ri bisedimesh, në të cilat Sekretari i Shtetit i SHBA Marco Rubio do të merrte pjesë, por përfundimisht e anuloi pjesëmarrjen e tij.
"Tani është koha, besoj, të marrim, një përgjigje. Kjo do të thotë që ukrainasit dhe rusët duhet të braktisin një pjesë të territorit që ata aktualisht mbajnë", shtoi ai.
Ultimatumi i Vance synon të thyejë bllokimin e shkaktuar nga propozimi i SHBA-së, i cili përfshin njohjen e sovranitetit rus mbi Krimenë, gadishullin jugor të Ukrainës të aneksuar ilegalisht nga Moska, si dhe një armëpushim përgjatë vijës së parë të luftës, sipas një zyrtari amerikan.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, megjithatë, edhe pse është deklaruar i hapur për bisedime me Rusinë, e ka bërë të qartë se Kievi nuk do të pranojë një marrëveshje që njeh sovranitetin e Moskës mbi Krimenë.
"Ukraina nuk do ta njohë ligjërisht pushtimin e Krimesë. Nuk ka asgjë për të diskutuar. Është kundër Kushtetutës sonë”, deklaroi Zelenskyy gjatë një konference për mediat.
Reagime të forta nga Franca dhe Britania
Deklarata e Vance nxiti reagime të forta nga Parisi dhe Londra, pasi logjika e Uashingtonit “merre ose lëre” po shkakton acarim në Evropë.
“Respekti për integritetin territorial të Ukrainës dhe orientimin e saj evropian janë kërkesa shumë të forta të evropianëve", njoftoi presidenca franceze të mërkurën, pas ultimatumit të zv/presidentit amerikan.
Ndërsa zyrtarët francezë, britanikë dhe gjermanë po takohen me zyrtarë amerikanë dhe ukrainas në Londër, si pjesë e negociatave për një armëpushim në Ukrainë, "qëllimi mbetet ndërtimi i një qasjeje të përbashkët që SHBA mund t'ua paraqesë rusëve", theksoi Elysee.
Nga ana britanike, një zëdhënës i Doëning Street deklaroi se “i takon Ukrainës të vendosë për të ardhmen e saj". Ne mbështesim përpjekjet e udhëhequra nga SHBA për t'i dhënë fund të përhershëm luftës. Unë mendoj se kjo është ajo që ne të gjithë duam. Në fund, i takon Ukrainës të vendosë për të ardhmen e saj”./ZËRI