SHBA- Presidenti amerikan Donald Trump pretendon se presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe bashkëshortja e tij janë “kapur dhe janë transportuar jashtë vendit”.
Në një postim në Truth Social, të publikuar vetëm pak çaste më parë, Trump shkroi:
"Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer me sukses një sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe udhëheqësit të saj, Presidentit Nicolás Maduro, i cili, së bashku me bashkëshorten e tij, është kapur dhe është transportuar jashtë vendit. Ky operacion u krye në bashkëpunim me forcat amerikane të zbatimit të ligjit. Detaje të tjera do të pasojnë. Sot do të mbahet një konferencë për shtyp në orën 11:00, në Mar-a-Lago. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!
President DONALD J. TRUMP."
Presidenti Trump ka paralajmëruar vazhdimisht në muajt e fundit se administrata e tij mund të sulmojë shumë shpejt trafikantët e drogës që përshkojnë Amerikën Latine nga toka, gjë që do të shënonte një përshkallëzim në fushatën e ushtrisë amerikane të sulmeve vdekjeprurëse ndaj anijeve të dyshuara të drogës .
"Do të fillojmë t'i bëjmë këto sulme edhe në tokë", u tha zoti Trump gazetarëve gjatë një takimi të kabinetit më 2 dhjetor, kur u pyet për sulmet e administratës në det. "E dini, toka është shumë më e lehtë... Dhe ne i dimë rrugët që ndjekin. Ne dimë gjithçka rreth tyre. Ne e dimë se ku jetojnë. Ne e dimë se ku jetojnë të këqijtë. Dhe do ta fillojmë këtë shumë shpejt."
Ai tha në atë kohë se çdo vend ku prodhohen ose trafikohen droga të paligjshme mund të jetë subjekt i sulmit, jo vetëm Venezuela./ZËRI
