
GJERMANI-Festat e fundvitit u përgjakën në Gjermani, pas një sulmi në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg. Të paktën dy persona janë vrarë dhe mbi 68 të tjerë janë plagosur të premten si pasojë e përplasjes së një makine në turmën e tregut. Viktimë kanë mbetur një person i rritur dhe një fëmijë i vogël. Spitalet në Magdeburg po përgatiten për një tragjedi të vërtetë, pasi numri i viktimave mund të rritet.
Sipas dëshmitarëve okularë, ngjarja nisi mbërmjen e djeshme (20 dhjetor) në orën 19:04. Drejtuesi i automjetit, rreth 50 vjeç me profesion mjek, nga Arabia Saudite, është arrestuar nga autoritetet. Makinën ai e kishte marrë me qira pak para se ta përdorte për sulmin vdekjeprurës. Gjatë kontrollit në automjet, autoritetet gjetën një valixhe të dyshimtë në sediljen e pasagjerit.
Motivi i sulmit vijon të mbetet i paqartë. Një operacion policor u zhvillua gjithashtu në qytetin e Bernburgut, në jug të Magdeburgut, ku i dyshuari besohet të ketë jetuar, raportoi gazeta lokale Mitteldeutsche Zeitung.
Kancelari gjerman Olaf Scholz paralajmëroi për një ngjarje shumë tragjike dhe shprehu ngushëllimet për viktimat. Ai tha se qeveria gjermane qëndron krah njerëzve të Magdeburgut dhe falënderoi ekipet e urgjencës në vendngjarje.
"Lajmet nga Magdeburgu sugjerojnë më të keqen. Mendimet e mia shkojnë për viktimat dhe familjet e tyre. Ne jemi në anën tuaj dhe në krah të njerëzve të Magdeburgut. Falënderimet e mia shkojnë për punonjësit e shpëtimit të përfshirë në këto orë ankthi", shkruan Scholz.
Tetë vjet më parë, më 19 dhjetor të vitit 2016, një pjesëtar i grupit terrorist, Shteti Islamik, pati kryer një sulm me kamion, duke e përplasur në një treg Krishtlindjesh në qendër të Berlinit. Si pasojë e sulmit patën vdekur 12 persona, ndërsa janë plagosur mbi 70 të tjerë./ZËRI