KOSOVË-Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me protestat që po zhvillohen prej javësh në Tiranë, duke shprehur kundërshtimin e tij ndaj pjesëmarrjes së qytetarëve nga Kosova në këto tubime.
Gjatë një interviste për Pressing T7, Ramush Haradinaj u shpreh se nuk e mbështet përfshirjen e bashkëkombasve të tij në protestat që zhvillohen në Shqipëri.
“Po më vjen marre që i shoh bashkëkombasit në protestë në Shqipëri. Unë nuk do kisha shkuar dhe do t'u kisha thënë njerëzve përmbahuni”, deklaroi ai.
Deklarata e Haradinajt vjen në një kohë kur në protestat e zhvilluara në bulevardin e Tiranës kanë marrë pjesë edhe qytetarë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Prania e tyre ka nxitur reagime të ndryshme në opinionin publik dhe në qarqet politike, ndërsa debati mbi përfshirjen e qytetarëve nga jashtë Shqipërisë në zhvillimet politike të vendit vijon të mbetet i hapur.