TURQI-Zonja e Parë e Turqisë, Emine Erdogan, i ka shkruar Melania Trumpit, gruas së presidentit të ShBA-së, Donald Trump, në lidhje me situatën në Gaza. Në letrën e saj, Emine Erdogan, tha se frymëzimin e kishte marrë pikërisht nga letra që Melania Trumpi ia ka dërguar më herët këtë muaj presidentit rus, Vladimit Putinit, në lidhje me fëmijët në Ukrainë dhe Rusi.
Në letrën e bërë publike këtë të shtunë, Erdogan e vlerësoi angazhimin e Trump për mbështetjen e fëmijëve të prekur nga lufta në Ukrainë, duke e cilësuar si një nismë që “ngjall shpresë në zemrat e njerëzve”.
““Shkrimi ‘foshnjë e panjohur’, që ndodhet në mbulesat mortore të mijëra fëmijëve nga Gaza, hap plagë të pariparueshme në ndërgjegjen tonë. Ashtu siç mbrojte të drejtat e fëmijëve ukrainas, besoj se do të tregosh të njëjtën ndjeshmëri edhe për fëmijët e Gazës. Kam besim se ndjeshmëria e rëndësishme që keni treguar për 648 fëmijët ukrainas … do të shtrihet edhe në Gaza. Këto ditë, kur bota po përjeton një zgjim kolektiv dhe njohja e Palestinës është bërë një vullnet global, besoj se thirrja juaj në emër të Gazës do të përmbushte një përgjegjësi historike ndaj popullit palestinez. Është tepër vonë për ata që humbëm, por jo për ata që ende jetojnë. Shpresoj që do të mbillni të njëjtën shpresë edhe për ta”, shkroi Emine Erdogan.
Tashmë Gaza dhe zonat përreth zyrtarisht po vuajnë nga uria, e cila ka të ngjarë që të përhapet, duke e rritur presionin mbi Izraelin që të lejojë më shumë ndihma në territorin palestinez.