SHBA-Presidenti i SHBA, Donald Trump ka pohuar se Izraeli është gati të bjerë dakord për një marrëveshje paqeje me Hamasin, ndërsa ai kërkon të ndërmjetësojë një armëpushim në luftën në Gaza që ka marrë pothuajse 60,000 jetë.
Në një postim në Truthsocial, presidenti amerikan shkroi: “Izraeli ka rënë dakord me kushtet e nevojshme për të finalizuar ARMËPUSHIMIN 60-ditor, gjatë së cilës kohë ne do të punojmë me të gjitha palët për t’i dhënë fund Luftës.”
Nuk është e qartë se për çfarë kushtesh konkretisht është rënë dakord Izraeli dhe pretendimet e mëparshme të Trump se Izraeli ishte gati t’i jepte fund luftës, përfshirë një armëpushim të negociuar para inaugurimit të tij në janar, janë shuar shpejt pasi të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjeve për shkëmbimin e të burgosurve. Trump tha se përfaqësuesit e Katarit dhe Egjiptit do t'ia dorëzojnë Hamasit "këtë propozim përfundimtar".
"Shpresoj, për të mirën e Lindjes së Mesme, që Hamasi ta pranojë këtë marrëveshje, sepse nuk do të përmirësohet - VETËM DO TË PËRKËQENOHET. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!,"-shkroi ai.
Ndërkohë, zyrtari i Hamasit, Taher al Nunu, deklaroi se grupi militant është i gatshëm dhe serioz për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi me Izraelin. Ai theksoi se Hamasi është “i gatshëm të pranojë çdo iniciativë që çon në përfundimin e plotë të luftës”. Megjithatë, Hamasi nuk e pranoi propozimin 60-ditor për armëpushim të prezantuar nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Të dyja palët kanë treguar pak shenja gatishmërie për t'u larguar nga pozicionet e tyre të ngulitura që kur konflikti filloi më 7 tetor 2023. Bisedat për një armëpushim të ri vijnë ndërsa kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, planifikon të udhëtojë drejt SHBA-së për t'u takuar me Trump javën e ardhshme , në atë që do të ishte vizita e tretë e udhëheqësit izraelit në SHBA në më pak se gjashtë muaj./ZËRI
