TIRANË- Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas përfundimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale të mbajtura të dielën e datës 9 nëntor, duke falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen dhe aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje për angazhimin e tyre.
Në një postim në rrjetet sociale, Kurti u shpreh se pas këtyre zgjedhjeve, Vetëvendosje do të qeverisë në shtatë komuna, më shumë se në çdo periudhë tjetër më parë, duke theksuar se ky është rezultat i punës dhe besimit të qytetarëve.
“Ju falemnderit për pjesëmarrje në balotazhin e djeshëm të gjithë juve që e ushtruat të drejtën e votës. Treguat vullnet dhe pjekuri, i kontribuat demokracisë në Kosovë dhe orientimit të politikave publike në komunat tuaja. Mbajeni përgjegjës tani secilin kryetar për premtimet e dhëna dhe gjendjen në qytete e fshatra.
Të dashur aktivistë të VETËVENDOSJE!-s, Tash do të qeverisim në shtatë komuna të Republikës, pra më shumë se kurdoherë më parë. Lëvizjen tonë s’e ndali dot as bashkimi i të gjithë kundërshtarëve. Ju falemnderit çdonjërit për angazhimin. Na presin shumë punë e sfida, që do të thotë se para nesh ndodhen shumë suksese e fitore”, shkruan Kurti.
Partitë politike dhe komunat ku fituan kandidatët e tyre për kryetar
Lëvizja Vetëvendosje (7 komuna): Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Obiliq, Fushë Kosovë, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime
Lidhja Demokratike e Kosovës (7 komuna): Prishtinë, Pejë, Dragash, Viti, Junik, Istog dhe Lipjan
Partia Demokratike e Kosovës (6 komuna): Prizren, Vushtrri, Kaçanik, Skënderaj, Ferizaj dhe Han i Elezit
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (5 komuna): Gjakovë, Suharekë, Klinë, Rahovec dhe Deçan
Partia Turke KDTP (1 komunë): Mamushë
Nisma Socialdemokrate (1 komunë): Malishevë
Iniciativa e Ramiz Lladrovcit (1 komunë): Drenas
Lista Serbe (10 komuna): Kllokot, Leposaviq, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillug, Partesh dhe Mitrovicë e Veriut