ITALI-Qeveria italiane pritet të miratojë së shpejti rregulla të reja për shkollat, që parashikojnë vendosjen e një kufiri maksimal për numrin e nxënësve të huaj në çdo klasë, si edhe ndalimin e mbajtjes së burkës dhe nikabit në ambientet shkollore. Kryeministrja Giorgia Meloni njoftoi masat gjatë një aktiviteti të organizuar nga të rinjtë e partisë së saj, ku tha se do të paraqiten në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave.
“Një masë do t’i paraqitet Këshillit të Ministrave që prezanton një kufi ligjor për numrin e nxënësve të huaj për klasë, u kërkon prindërve të nxënësve të huaj me probleme serioze integrimi në shkollë të mësojnë italisht dhe ndalon burkën dhe hixhabin në shkolla. Nëse në një klasë ka vetëm një fëmijë që nuk kupton italisht, ai fëmijë ka të ngjarë ta mësojë gjuhën dhe të integrohet shpejt me ndihmën e shokëve të klasës dhe mësuesve. Megjithatë, nëse numri i fëmijëve që nuk e kuptojnë gjuhën bëhet i madh, apo edhe shumicë, atëherë kjo nuk është më integrim, por neglizhencë. Duhet të shkosh në shkollë me fytyrën të pambuluar dhe në Itali askush, në emër të një tradite reale apo të supozuar, nuk mund të vendosë që një vajzë e re duhet të fshihet”, deklaroi Meloni.
Nxënësit që nuk janë shtetas italianë përbëjnë 11.6% të të gjithë nxënësve të regjistruar në shkollat italiane pra rreth 12 në çdo 100 nxënës, sipas Fondacionit ISMU, një institucion kërkimor.