TURQI-Samiti i NATO-s në Ankara shën sot ditën e dytë, ndërsa konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit u përshkallëzua. Presidenti Donald Trump shprehu pakënaqësitë e tij ndaj anëtarëve të aleancës, duke deklaruar se nuk po paguanin mjaftueshëm për mbrojtjen e tyre ose nuk po bënin mjaftueshëm për të mbështetur luftën e tij në Lindjen e Mesme.
Trump rihapi sërish çështjen mbi Groenlandën duke këmbëngulur që Shtetet e Bashkuara duhet ta kontrollojnë ishullin gjysmëautonom. Kryeministrja daneze Mette Frederiksen tha se Groenlanda “nuk është në shitje” dhe se Danimarka ishte gati ta mbronte territorin.
Dita e parë e samitit u fokusua te investimet dhe forcimi i industrisë së mbrojtjes ushtarake për vendet. Ndër temat kryesore pritet të jetë situata në Ukrainë dhe paketa e ndihmës prej 70 miliardë eurosh që aleatët evropianë pritet ta formalizojnë në Ankara për të siguruar mbështetje për Kievin për dy vitet e ardhshme. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka vlerësuar rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes nga aleatët evropianë dhe kanadezë.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u shpreh se pret një vendim pozitiv për avionët luftarakë F-35 Lightning II, ndërsa homologu i tij amerikan, Donald Trump, premtoi heqjen e sanksioneve CAATSA ndaj Turqisë.
Shefi i NATO-s, Mark Rutte, tha se aleatët duhet të sigurohen që Rusia dhe Kina të mos fitojnë akses më të madh në Arktik, duke e përshkruar rajonin si një teatër strategjik gjithnjë e më të rëndësishëm. Duke iu drejtuar pyetjeve mbi Groenlandën, Rutte tha se NATO ka "një proces të mirë" në vend në lidhje me ishullin. Duke diskutuar sigurinë në Lindjen e Mesme dhe lundrimin në Ngushticën e Hormuzit, ai tha se priste që aleatët të riafirmonin se Irani "nuk duhet të marrë kurrë në dorë një kapacitet bërthamor".
Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan pritet të zhvillojë sot disa takime me krerë shtetesh, mes tyre dhe me kryeministrin Edi Rama. Dita e parë e takimeve në kuadër të Samitit në Ankara u përmbyll me një darkë shtetërore të Presidentit turk, që priti mbi 32 liderët e Natos.