FRANCË-Liderja e së djathtës ekstreme franceze, Marine Le Pen, është shpallur fajtore dhe është dënuar me tre vjet burgim, nga të cilat dy vjet janë me kusht, ndërsa një vit do ta vuajë në arrest shtëpiak me byzylyk elektronik. Politikania franceze e të djathtës ekstreme, Marine Le Pen është shpallur fajtore për përvetësim të fondeve të Parlamentit Evropian për një periudhë 12-vjeçare.
Vëmendja kryesore ishte përqendruar te ndalimi për të mbajtur poste publike. Gjykata vlerësoi se një pjesë e dënimit ishte vuajtur tashmë gjatë periudhës pas vendimit të shkallës së parë dhe, si rrjedhojë, uli kohëzgjatjen e ndalimit nga funksionet publike. Kjo e bën kalendarin gjyqësor të përputhshëm me një kandidim të mundshëm në zgjedhjet presidenciale të pranverës së vitit 2027, duke lënë të hapur mundësinë që liderja e së djathtës ekstreme të kandidojë për herë të katërt për Elysee.
Vetë Le Pen ka deklaruar se do të kandidojë për presidente në zgjedhjet e vitit 2027, në një intervistë që dha për kanalin TF1. Ajo ka kandiduar për presidenciale tre herë tashmë dhe ka humbur dy herë radhazi ndaj Emmanuel Macron, i cili nuk mund të kandidojë përsëri. Macron ka refuzuar të komentojë mbi vendimin.
"Nuk do ta ndryshoj mendjen time. Nuk ka më asnjë skenar në të cilin nuk mund të kandidoj. Dua të ndjek çdo rrugë të mundshme apelimi për të mbrojtur pafajësinë time në këtë rast,"-tha ajo.
Për 15 vjet, Le Pen ka qenë figura më e fuqishme në politikën anti-imigracion të Francës.