
KOSOVË-Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur akuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt, për vrasjen e 30-vjeçares Liridona Ademaj, krim që ndodhi më 30 nëntor 2023. Sipas aktakuzës, bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli, ka porositur dhe planifikuar vrasjen e Liridonës, duke i ofruar Granit Plavës një shumë prej 30 mijë euro. Mësohet se Naim Murseli ka hartuar planin për eliminimin e bashkëshortes së tij si hakmarrje për problemet e familjare dhe martesore mes tyre.
Në reagimi ne Prokurorisë, thuhet se ky plan i tmerrshëm kishte nisur të thurej nga Murseli rreth një vit para ngjarjes. Marrëdhëniet mes çiftit duket se ishin prishur dhe ata po shkonin drejt divorcit. Kjo shtoi dhe dëshirën e Naim Murselit për hakmarrje ndaj bashkëshortes së tij.
DOSJA:
Në dosje thuhet se fillimisht, Naim Murseli i ka kërkuar kushëririt të tij, Kushtrim Kokalla, që të vriste 30-vjeçaren, nënë e dy djemve, por ai ka refuzuar. Pas refuzimit, Kushtrim Kokolla ka prezantuar Granit Plavën dhe ky i fundit ka pranuar të kryejë vrasjen për një shumë prej 3 mijë euro. Ndërkohë, arma e përdorur për vrasjen e Liridona Ademajt u sigurua nga Naim Murseli, i cili bleu një pistoletë me 20 fishekë për 280 euro nga Tom Dodaj.
Në dosje detajohet momenti i ekzekutimit të 30-vjeçares nga Granit Plava, e cila, në momentin që u qëllua me plumb në kokë, ishte në automjet me dy djemtë e mitur dhe Naim Murselin. Sipas akuzës, ky i fundit e ka mbajtur bashkëshorten për krahu që ajo të mos shmangej nga plumbi.
Dëshmitë e autorëve të dyshuar të ekzekutimit të Liridona Ademajt:
Në deklaratën e dhënë në cilësinë e të dyshuarit më 1 dhjetor 2023, në prani të mbrojtësit të tij ka theksuar se pas 10 viteve martesë, kishin filluar problemet martesore, duke thënë se Liridona ka qenë xheloze dhe kontrolluese, e që ka pasur presion psikik nga ajo, sikurse janë telefonatat e shpeshta e kërkimi i dëshmive me foto se ku gjendet e me kë.
“…Unë nuk kam dhënë ndonjë ide dhe nuk kam ndërmarrë asnjë veprim për ta realizuar këtë vrasje”, citohet të ketë deklaruar i akuzuari Murseli. Në ditën e ngjarjes, thotë se ishte takuar me Granitin në Gjakovë, rrugës iu ishte dëmtuar goma, e kur ishin ndaluar për ta rregulluar, personi që i ndihmoi me gomën e ka pyetur Plavën se a është i interesuar për të blerë armë, e për të cilën ia kishte dhënë Naimi paratë prej 250 euro Granitit për ta blerë atë. Më pas, tha se ishte nisur në drejtim të Prishtinës bashkë me Granitin, e pasi i kishte thënë ta dërgonte në Kralan, kishin vazhduar rrugën ndaras për Prishtinë, ku sipas tij Plava e kishte ndjekur prapa me makinë tjetër deri afër shtëpisë e më pas i kishte thënë “unë tash e di çka bëj”.
Më pas, Naimi ka deklaruar se kishin shkuar për darkë me Liridonën dhe dy fëmijët, dhe se nuk e ka vërejtur se Plava kishte qenë në atë restorant, por që ai i kishte shkruar dhe dërguar një foto. Graniti kishte thënë se doli nga lokali, e kur përfunduan darkën Naimi thotë se vazhduan për në shtëpi, e në afërsi të shtëpisë Graniti u doli me armë e i maskuar.
“… Edhe pse isha në dijeni për prezencën e tij unë asnjëherë nuk kam besuar në të vërtet se Graniti do të merr veprime për vrasje, i shokuar kam ndaluar, unë i kam ngritur duart lartë dhe i kam thënë bashkëshortes jepja krejt çka të kërkon, dhe në një moment unë kam hapur derën time pastaj derën e fëmijëve duke i thënë bashkëshortes të largohet nga vetura dhe në momentin që jemi larguar disa metra kam dëgjuar një krisëm por pa e parë çfarë ndodhi”, citohet të ketë deklaruar Murseli.
Murseli thotë se motivi i vrasjes ishte xhelozia dhe presioni i lartë
Sipas tij, shkoi në vendngjarje pasi arriti Policia, por që ishte në gjendje të rënduar emocionale, i shokuar e i frikësuar të tregojë të vërtetën për ngjarjen, duke e ditur të kaluarën kriminale të Plavës s’ka guxuar ta zbulojë identitetin e tij. Pas ngjarjes, thotë që nuk është parë e as dëgjuar me Plavën dhe se nuk i ka dhënë asnjë shpërblim.
“Në këto momente ndihem i lumtur që vrasësi është arrestuar dhe rasti po shkon drejt zbardhjes nga ana ime jam betuar të tregoj vetëm të vërteten dhe të mos fsheh asgjë dhe dëshiroj të jem bashkëpunues me organet shtetërore që rasti të zbardhet në tërësi”, citohet më tej se deklaroi Murseli.
Granit Plava: Naim Murseli më tha se do vrisja një biznesmene serbe
Granit Plava në deklaratën e dhënë në Polici më 1 dhjetor 2023, ka deklaruar se një ditë para ngjarjes u takua me bashkëfshatarin e tij, Naim Murseli, ku ky i fundi i ka thënë se ka një rast nga i cili të dy mund të fitojnë para. Puna e tij, i ka thënë se do ishte ta vriste një biznesmene serbe dhe se pas vrasjes do t’i jepte 30 mijë euro. Më tej tha se kishte pranuar ta kryente vrasjen.
Ditën e ngjarjes, Plava tha se Murseli i shkoi në shtëpi me një makinë, duke i thënë se me të do ta kryente vrasjen, por që s’ka pranuar duke thënë se i duhej një makinë më e madhe. Bashkë me Naimin, tha se shkuan në Kralan dhe mori makinën nga një person. Më pas, tha se Naimi i dha armën e i tha ta ndjekë nga pas. Pasi kishin ndarë rrugët dhe që Naimi i kishte treguar se me çfarë makine do vinte, thuhet se Plava deklaroi që kur erdhi ia bëri me drita. Gjatë gjithë kohës tha se kanë qenë në kontakt me WhatsApp dhe se i ndoqi pas në restorantin ku shkuan Naimi me të ndjerën dhe fëmijët. Kur deshën të largoheshin nga aty, tha se Naimi i shkroi “çohu” dhe i kishte treguar kur të niset.
Sipas tij, kur arritën afër vendit të ngjarjes, Naimi i shkroi “ti shko atje dil në pritë kurse unë po vonohem pak derisa të përgatitesh ti”. Më pas, tha se në vendngjarje i doli përpara makinës shkoi nga dritarja e pasagjerit dhe u ka thënë t’i dorëzojnë telefonat.
“Nxirrni telefonat dhe e kam dëgjuar atë vajzën duke thënë mos mos dhe aty e kam vërejt se është shqiptare dhe kam shtënë vetëm një herë dhe nuk kam dit se ku kamgjuajtur”, citohet se deklaroi Plava.
Pas kësaj, thuhet se Plava deklaroi që ka ikur nga vendi i ngjarjes, e që rrugës tentoi ta kontaktonte Naimin por ai nuk i është përgjigjur. Nga mediat, tha se të nesërmen e kuptoi se viktima ishte bashkëshortja e Murselit, lajm i cili thotë se e tronditi pasi sipas tij po ta dinte se është shqiptare nuk do ta vriste.
I akuzuari Granit Plava ka deklaruar po ashtu se në Polici ka qenë disa herë për raste të dhunës dhe sherreve gjatë kohës kur ishte në shkollë. Tha se Naim Murseli më parë nuk i kishte kërkuar të kryente punë tjera, e se me të njihej prej 10-15 vitesh. Planin e vrasjes, Plava ka thënë se e ka bërë Murseli dhe se puna e tij ka qenë ta ndjekë atë, t’i dalë në pritë gjasme se ishte grabitje dhe ta vrasë vajzën që i ka thënë se ishte serbe dhe se 30 mijë euro do t’ia jepte të nesërmen.
“Këtë gjë e kam bërë për shkak se më janë nevojitur paratë për sëmundjen e djalit tim”, citohet se tha Plava.
Kushtrim Kokalla: Naim Murseli prej një viti më kishte lutur ta vrisja Liridonën
Sipas aktakuzës që “Betimi për Drejtësi” ka siguruar, Kokalla më 1 dhjetor 2024 ka deklaruar në Polici se nga viti 2019 është pjesëtar i FSK-së. Tha se Naim Murselin e ka djalë daje dhe halle, ndërsa Granit Plavën e ka bashkëfshatar dhe se njihen qysh kur kanë qenë të vegjël. Kokalla kishte deklaruar se para një jave kishte qenë tek Murseli në shtëpi dhe më pas ishin takuar me Granit Plavën. Atë natë, tha se i kishte shkruar Murseli dhe ia kishte kërkuar numrin e Plavës dhe se pas 2-3 ditësh ishin takuar ku Murseli i kishte dhënë Kokallës 300 euro për këstin e kredisë për të cilën thotë se ka hyrë për Murselin dhe që edhe Plavës i kishte dhënë 500 euro. Për këto të fundit, ka thënë se s’kishte idenë pse iu dhanë atij.
Sipas Kokallës, më 29 nëntor 2023 kishte biseduar me të akuzuarin Murseli e që sipas tij në atë bisedë Murseli i ka kërkuar të takohen dhe u takuan rreth orës 9:30, ku i kishte thënë “sot duhet të kryhet kjo punë”, që sipas Kokallës kishte të bënte me vrasjen e Liridonës. Ai tha se rreth një vit i akuzuari Murseli e kishte lutur që ta kryente vrasjen.
“Naimi që afër një vit mua më ka lutur që të kryej këtë vrasje unë. Atëherë unë i kam thënë nuk e bëjë këtë punë unë dhe mos më thuaj më asnjëherë”, thuhet të ketë deklaruar i akuzuari Kokalla.
Tom Dodaj: Armën me 20 fishekë e bleu Naim Murseli për 280 euro
Tom Dodaj në deklaratën e dhënë në Polici më 9 dhjetor 2023 dhe në Prokurori më 23 janar 2024, tha se ditën e ngjarjes, Murseli ishte paraqitur në servisin e tij për të rregulluar gomën e makinës. Gjatë bisedës, kur kishte rënë biseda për armët, i kishte thënë Murselit se posedon një armë, të cilën mund t’ia shiste, duke pohuar se paraprakisht e kishte ditur se mbajtja e armës ishte e kundërligjshme dhe se është i vetëdijshëm që me këtë dhe me shitjen e armës, ka kryer vepër penale.
Dodaj ka deklaruar se nuk e ka njohur më parë Murselin dhe Plavën dhe se vetë i akuzuari Murseli i kishte kërkuar që të shikonte armën që kishte, kështu Dodaj ka deklaruar se ka shkuar në shtëpi dhe e ka marrë armën.
Pas ngritjes së aktakuzës për vrasjen e Liridona Ademajt, vëllai i saj, Leonard Ademaj, shpreson se drejtësia do të vijë në vendin e vet. Ademaj ka theksuar se kjo është një ditë e rëndë për familjen e tij. Ai para mediave theksoi se ende nuk ka pasur mundësinë ta lexojë aktakuzën ndaj të dyshuarve. Vëllai i të ndjerës ka folur edhe për gjendjen e fëmijëve të Liridonës.
“E mirëpresim ngritjen e aktakuzës, ne kemi besuar në drejtësi dhe vazhdojmë të besojmë. Ajo çfarë duam ne është që Gjykata sa më shpejt një dënim kapital që të lehtësojë zemrat tona sa do pak dhe të fëmijëve të saj. Aktakuzën ende nuk e kemi pranuar… Takohemi me fëmijët. Fëmijët kanë kuptuar gjithçka. Gjendja e tyre nuk është edhe aq e mirë, kanë psikologë dhe njerëz adekuat që merren me ta, por çfarë shohim ne është se ata janë shumë të mërzitur. Cili është motivi? Akoma nuk e kemi lexuar aktakuzën, kur ta lexojmë atë do ta shohim edhe ne. Është një ditë e rëndë për neve, kërkojmë të na mirëkuptoni, po shpresojmë që drejtësia sa më parë të vijë në vendin e vetë”, -theksoi Ademaj.
Liridona Murseli, 30 vjeçe, u vra më 29 nëntor 2023, në fshatin Bërnicë, disa kilometra larg kryeqytetit Prishtinë. Rasti fillimisht u raportua si vrasje gjatë përpjekjes për grabitje, por, vetëm dy ditë më vonë, policia i arrestoi bashkëshortin e saj Naim Murseli dhe dy të dyshuarit e tjerë G.P, dhe K.K. Ata janë mbajtur në paraburgim për dhjetorit të kaluar, në pritje të gjykimit. Motivet për vrasjen e saj nuk janë ende të qarta, por policia dyshon se Naim Murseli e porositi vrasjen e gruas së tij nënë e dy fëmijëve dhe se dorasit i premtoi 30.000 euro./ZËRI