Bota

AUV urdhëron tërheqjen nga tregu të qumështit UHT Land 3.2%, për shkak të mykotoksinës

Aflatoksina në qumësht është një toksinë që mund të shfaqet kur lopët ushqehen me misër, drithëra ose ushqim të ruajtur që është ndotur me myk, kryesisht nga kërpudhat Aspergillus flavus dhe Aspergillus parasiticus.

Redaksia Zëri
AUV urdhëron tërheqjen nga tregu të qumështit UHT Land 3.2%,
Qumësht i kompanive të ndryshme, në raftin e një dyqani në Kosovë

KOSOVË-Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) njoftoi të mërkurën se ka urdhëruar tërheqjen e “menjëhershme” të qumështit UHT Land 3.2% nga tregjet e Kosovës, duke thënë se është vërtetuar se ai përmban substancë të rrezikshme toksike.

AUV tha se është njoftuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut se ato kanë gjetur aflatoksinë M1 mbi nivelin e lejuar në qumështin UHT Land 3.2%, të prodhuar nga qumështorja VITA në Kosovë.

“Në përputhje me Ligjit për Ushqim, sipas të cilit ushqimi konsiderohet i dëmshëm dhe jo i sigurt për njerëzit kur përmban mykotoksinë mbi kufirin e lejuar, AUV ka urdhëruar tërheqjen e menjëhershme nga tregu të qumështit UHT Land 3.2%, të identifikuar si të prekur dhe ka filluar kontrollin zyrtar dhe verifikimin e gjurmueshmërisë”, thuhet në njoftim.

AUV shtoi se në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Shëndetësisë, do të përcaktojë masat e mëtejshme lidhur me qumështoren VITA. Qumështorja VITA nuk iu përgjigj thirrjeve të Radios Evropa e Lirë (REL) për koment.

Lajmi vjen pasi Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AFV) e Maqedonisë së Veriut tha të martën se javën e kaluar i kishte shkatërruar dy ngarkesa me qumësht UHT të importuara nga Kosova, për shkak të pranisë së aflatoksinës mbi përqendrimet maksimale të lejuara me rregulloret ligjore.

Pesha e përgjithshme e qumeshtit të shkatërruar ishte 27.520 kilogramë, tha AFV.

“Sasitë e pasigurta të qumështit, të cilat ishin të destinuara për shpërndarje në një rrjet supermarketesh në vend, u shkatërruan pa rrezik javën e kaluar në deponinë e Drisllës nën mbikëqyrjen e një veterineri zyrtar”, tha ajo.

AFV nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it për më shumë hollësi rreth gjetjeve të saj.

Aflatoksina në qumësht është një toksinë që mund të shfaqet kur lopët ushqehen me misër, drithëra ose ushqim të ruajtur që është ndotur me myk, kryesisht nga kërpudhat Aspergillus flavus dhe Aspergillus parasiticus.

Aflatoksina B1 (AFB1) gjendet kryesisht në ushqimin e kafshëve. Kur lopa e ha nj ushqim të ndotur me myk, një pjesë e saj shndërrohet në aflatoksinë M1, që autoritetet maqedonase thanë se e gjetën në qumeshtin e importuar nga Kosova.

Ndërkohë, kjo nuk është hera e parë në kohët e fundit që autoritetet kosovare e urdhërojnë kompaninë Vita të tërheqë produkte nga raftet e marketeve në vend.

Në fillim të muajit, AUV e urdhëroi atë t’i tërheqë nga tregu 12 produkte, duke thënë se, në ato produkte që janë paraqitur se kanë përmbajtje shtazore, ishte gjetur prani e vajit të palmës, qumështit pluhur dhe niseshtesë së padeklaruar.

Paraprakisht, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, kishte njoftuar për tërheqjen nga tregu të disa produkteve të qumështit nga kompani të tjera.

Kompania ndërkaq, publikoi disa rezultate, që pretendoi se vërtetojnë se në qumështin e saj nuk ka vaj palme./REL

Poll

MOS HUMB