Sipas një raportimi të Euronews, pozicioni i Shqipërisë si vendi pritës i Samitit të NATO-s në vitin 2027 është vënë në pikëpyetje për shkak të mosarritjes së objektivave të aleancës për shpenzimet në mbrojtje.
Në projektdeklaratën e samitit që do të mbahet javën e ardhshme në Ankara nuk përmendet organizimi i samitit të ardhshëm në Shqipëri, edhe pse më herët ishte bërë e ditur se Tirana do të ishte mikpritëse. Sipas burimeve të NATO-s të cituara nga Euronews, kjo është një lëvizje e qëllimshme për t’i dërguar një mesazh të fortë Tiranës që të përshpejtojë angazhimet e saj në fushën e mbrojtjes.
Një burim i Aleancës konfirmoi se situata nuk ka ndryshuar dhe se Shqipëria rrezikon të humbasë të drejtën për të organizuar samitin nëse nuk shton investimet në mbrojtje.
Në Samitin e Hagës vitin e kaluar, vendet anëtare të NATO-s ranë dakord të rrisin gradualisht shpenzimet për mbrojtjen në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035. Aktualisht, Shqipëria shpenzon rreth 1.49% të PBB-së, duke mbetur edhe nën objektivin e mëparshëm prej 2%.
Sipas raportimit, Shqipëria nuk është e vetmja që ka mbetur pas. Edhe Sllovenia dhe Çekia janë përmendur si vende që nuk kanë bërë progres të mjaftueshëm, pavarësisht se raporti i NATO-s për vitin 2025 i rendiste mbi pragun 2%.
Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë shtuar presionin ndaj aleatëve që nuk po rrisin shpenzimet ushtarake. Ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, deklaroi se vendet evropiane nuk mund të vazhdojnë të "udhëtojnë falas" mbi arkitekturën e sigurisë, duke u mbështetur te taksapaguesit amerikanë.
“Ka pasur vende në NATO që kanë përfituar për vite me radhë nga taksapaguesit amerikanë. Kjo duhet të marrë fund,” u shpreh Whitaker.
Samiti i NATO-s do të zhvillohet në Ankara, nga 7 deri më 9 korrik, me pjesëmarrjen e të 32 vendeve anëtare. Presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar pjesëmarrjen, së bashku me Sekretarin e Shtetit Marco Rubio. Të pranishëm do të jenë gjithashtu presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, si edhe liderët e Katarit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahreinit.
Burimi: Euronews