
ITALI- Sot janë mbushur 28 vite nga Tragjedia e Otrantos, e ndodhur më 28 mars të vitit 1997, ku anija shqiptare “Katri i Radës”, u përmbyt në Ngushticën e Otrantos nga forcat detare italiane. Në bordin e anijes ishin 142 persona, nga ku 81 humbën jetën dhe vetëm 61 mundën të mbijetonin. Nga viktimat, 24 trupa nuk u arritën të gjendeshin kurrë.
Sot familjarët, me lot në sy, vendosin kurora me lule në varrezat e Vlorës, ku prehen të dashurit e tyre. Ata kërkojnë drejtësi; denimin e fajtorëve dhe dëmshpërblimet. Akuzojnë shtetin shqiptar që nuk i ka mbështetur në proceset e gjata gjyqësore me shtetin italian.
“Humba vajzën me fëmijën dhe me burrin. Dhimbja nuk ikën asnjëherë. Ne as si prindër që na kanë mbyllyr një derë. Donin të jetonin sa më mirë. Ne nuk na njeh njeri si prindër të këtyre viktimave. Për mungesë dokumentesh nuk u bë asgjë. S’dimë si i kanë ligjet italiane.Vëllanë, nusen dhe nipçen e vogël, të tre u mbytën. Kjo ska për të mbaruar. Të paktën të mos harrohen. Ndaj vijmë cdo vit. Shteti I ka harruar. S'kemi gjetur të drejtë në shtetin Italian. Ne këtu do i përkujtojmë sa të jemi gjallë. Motra me nipin i kuptoj me mall. Do mbeten të paharruar për ne. Por shteti i ka harruar. Vec ju gazetarët vini këtu, shteti nuk bën ceremoni,"-u shpreh një nga familjarët.
Ndërkohë ish-ushtaraku Dionis Andoni akuzon ushtarakët italianë për mosdhënien e ndihmës dhe e cilëson veprimin e tyre si një krim. Andoni shprehet i zhgënjyer nga qeveria shqiptare, e cila, sipas tij, e ka marrë shumë lehtë këtë çështje dhe nuk ka bërë asnjë protestë për një dëmshpërblim moral për familjarët e viktimave.
“Ushtarakët italianë kanë shkelur ligjet ndërkombëtare, duke mos iu ardhur në ndihmë emigrantëve dhe duke bërë të mundur mbytjen e anijes", thotë ai.
Çfarë ndodhi më 28 mars
Më 28 mars të vitit 1997, ku anija shqiptare “Katri i Radës”, u përmbyt në Ngushticën e Otrantos nga forcat detare italiane. Pas nisjes dhe kalimit në ujrat e Italisë anija “Kater i Rades” u përball me goditjet e anijes luftarake “Sibilla”. Anija “Sibilla” iu afrua shumë anijes shqiptare, aq sa pasagjerët “Katerit” panë dy burra mbi urën e anijes, ku njëri prej tyre drejtonte një mitraloz dhe tjetri i bënte fotografi, e nga ana tjetër mbi kokat e tyre fluturonte një helikopter i marinës italiane, ku e gjithë ngjarja tragjike po filmohej nga lart.
Me dy goditje të forta të anijes italiane, anija shqiptare u përmbysur e gjitha. Ata që nuk dinin të notonin u munduan të hipnin mbi anije, por shumë gra e fëmijë u mbytën sepse nuk mundën dot të dilnin pasi ndodheshin në pjesët e brendshme të saj. Pas gjashtë muajsh, autoritetet nxorrën nga fundi i detit anijen e mbytur, “Kateri i Radës” ku brenda saj u gjenden disa prej të mbyturve. Komandanti i anijes Sibilla u dënua vetëm me 2 vite burg, ndërsa Komandanti shqiptar i anijes Kater i Radës me 3 vite burg. Por edhe pas kaq shumë vitesh familjarët e viktimave kërkojnë ende drejtësi, pasi humbën tragjikisht njerëzit e tyre të dashur si shkak i sulmit nga anija italiane./ZËRI