
TIRANË- Ka nisur në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar seanca gjyqësore për inceneratorin e Tiranës. Në seancën e sotme është lexuar edhe një letër që Taulant Tushe, ish-drejtori i Punëve Publike në Bashki. Në letrën e dërguar nga burgu, Tushe shkruan se lidhur me inceneratorin e Tiranës është nisur për të bërë më të mirën, për aq sa ka pasur në dorë ai dhe institucioni i Bashkisë së Tiranës, duke shpallur edhe pafajësinë.
Letra u lexua nga avokatët e tij mbrojtës të cilët pretenduan përpara gjyqtares Elsa Ulliri se është ngritur një fabul të pavërtetë që sipas tyre, duke shtuar se klienti i tyre ishte burgosur pa gjyq.
Taulant Tushe letër GJKKO nga burgu: Mua më kanë burgosur pa gjyq. Në lidhje me procesin e mbetjeve, unë por edhe Bashkia Tiranë jemi përpjekur të bënim më të mirën. Për këtë koncesion nuk pati asnjë ankesë në Agjencinë e Prokurimeve Publike. Ne si Bashki për aq sa na takoi bëmë detyrën tonë. Me këtë standard që keni vendosur ju edhe punonjës të tjerë të administratës, mund të ndihen të rrezikuar dhe frikësuar. Kërkoj të shpallem i pafajshëm.
Në seancën e 7 shkurtit, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lexuar pretencën ndaj 8 të pandehurve për inceneratorin e Tiranës. SPAK ka kërkuar dënimin me 4 vite burg për Lefter Kokën, Bledar Karolin, Fatjon Muratin, Taulant Tushen dhe Namik Simixhin. Ndërsa nga 2 vite burg dhe 4 vite shërbim prove ka kërkuar për Valbona Ballgjinin dhe Sidit Koplikun; vetëm për Jetmir Llapajn është kërkuar 2 vite heqje lirie. Në rast se shpallen fajtorë, do t'u ulet 1/3 e dënimit për shkak se përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar.
Gjithashtu, për të gjithë të pandehurit, SPAK ka kërkuar si dënim plotësues heqjen e të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite. Krahas Kokës, prokurori Dritan Prenci kërkoi gjatë seancës dënime dhe për ish-zyrtarë dhe individë të tjerë të lidhur me projektet e menaxhimit të mbetjeve. Inceneratori i Tiranës është sekuestruar nga SPAK që prej verës së vitit 2023, pasi rezultoi se kompania e cila fitoi koncesionin për ndërtimin e inceneratorit me vlerë 128 milionë Euro, ka si pronarë biznesmenët Mirel Mërtiri e Klodian Zoto.
Gjatë hetimeve Prokuroria e Posaçme ka konstatuar një sërë parregullsish gjatë procedurës së ndjekur për dhënien e koncesionit dhe po ashtu ka dyshime se ish-funksionarët publikë kanë bashkëpunuar me Klodian Zoton për të bërë gati të gjitha dokumentet për të fituar koncesionin për rehabilitimin e landfillit dhe ndërtimin e inceneratorit të Tiranës./ZËRI