
SHKODËR-Mikelian Toma, 32-vjeç, dhe David Simoni, 34-vjeç u arrestuan një ditë më parë (27 mars) nga Policia e Shkodrës. Simoni dhe Toma dyshohet se ishin nisur për të vendosur një sasi tritoli, të cilin dyshohet se e kanë hedhur gjatë kohës që kanë qenë në ndjekje nga Policia. Deri më sot, lënda plasëse nuk është gjetur. Motori me të cilin lëviznin dy të rinjtë, u pa në mënyrë rastësore në një prej rrugëve të lagjes “Xhabije”.
Dyshja nuk i janë bindur urdhrit të Policisë, për të ndaluar motorin me targa të vjedhura në Tiranë. Efektivët i janë vënë pas nëpër rrugica dhe për 20 minuta ndjekje rrugicë më rrugicë, si nëpër filma u bë e mundur të ndalojë dhe arrestojë 2 personat, Toma, drejtues i motoçikletës, dhe Simoni pasagjer.
Ndalimi i tyre është bërë pranë 'Varrezave të Dëshmorëve' apo Urës së Kirit në Shkodër, moment kur motoçikleta është përplasur në tentativë për t’u arratisur. Gjatë kontrolleve të mëtejshme, në automjetet e tyre janë gjetur një bidon me benzinë, një silenciator dhe një sasi kokaine.
Toma dhe Simoni kanë “kyçur gojën” gjatë marrjes në pyetje duke mos treguar bashkëpunëtorët. Po ashtu, nuk e kanë zbuluar as ndaj kujt kishin marrë urdhër dhe kush ishte shënjestra e tyre për t'i vendosur lëndën plasëse. Në këto kushte, Prokuroria e Shkodrës vijon hetimet deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes, por pa bashkëpunimin e të vendosurve në pranga./ZËRI