TIRANË- Paketa Fiskale 2027 që pritet të zyrtarizohet nga qeveria parashikon ulje të TVSH-së së çmimeve me 6%, por nga ana tjetër, rëndohet biznesi. Paketa Fiskale 2027 ka sjellë reagime dhe kundërshtime nga organizata të bisnesit, të cilat paralajmërojnë se rritja e taksave do të ketë pasoja, pasi sipas tyre, do të shtojë presionin mbi çmimet dhe do të ndikojë te investimet dhe punësimi.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë shpreh shqetësim serioz për masat fiskale të paralajmëruara për vitin 2027. Ajo kërkon pezullimin e rritjeve tatimore dhe hapjen e menjëhershme të një dialogu real me komunitetin e biznesit. Sipas DHTI, kjo paketë vjen në momentin më të gabuar. Karburantet po shtrenjtohen, kostot e prodhimit mbeten të larta dhe rënia e euros po gërryen të ardhurat e eksportuesve dhe të turizmit. Ekonomia ka nevojë për një paketë fiskale nxitëse, jo për barrë të re.
DHTI kërkon pezullimin e ndryshimeve që rrisin normat tatimore, deri në përfundimin e një konsultimi real me biznesin, publikimin zyrtar të paketës, së bashku me analizën e plotë të ndikimit të çdo mase, ruajtjen e normave aktuale të tatimit mbi fitimin, të TVSH-së standarde dhe të pragut të TVSH-së, si dhe rishikimin e propozimeve për dividendin dhe turizmin.
Shoqata “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë” kundërshton gjithashtu paketën fiskale të propozuar për vitin 2027. Në një reagim publik, Shoqara ngre shqetësimin se rritja e taksave do të shtojë presionin mbi çmimet. Shoqata kundërshton çdo ndryshim në paketën fiskale që hartohet pa konsultim real dhe transparent me komunitetin e biznesit, duke theksuar se ndryshimet që prekin sipërmarrjen kërkojnë dialog paraprak, vlerësim të ndikimit dhe kohë të mjaftueshme për përshtatje.
"Paketa e re fiskale pritet të rrisë barrën tatimore për bizneset, duke lënë më pak fonde për investime dhe duke shtuar presionin mbi çmimet. Parashikohet rritja e tatimit mbi fitimin nga 15% në 17% dhe e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%. Norma e përgjithshme e TVSH-së pritet të rritet nga 20% në 21%, ndërsa norma e reduktuar për turizmin nga 6% në 10%. Ulja e pragut të regjistrimit të detyrueshëm në TVSH nga 10 në 5 milionë lekë qarkullim vjetor do të përfshinte më shumë biznese të vogla në këtë skemë, duke u shtuar detyrimet për deklarim dhe administrim. Shoqata “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë” kundërshton fuqimisht çdo ndryshim në paketën fiskale që hartohet pa konsultim real dhe transparent me komunitetin e biznesit. Ndryshimet që prekin sipërmarrjen kërkojnë dialog paraprak, vlerësim të ndikimit dhe kohë të mjaftueshme për përshtatje. Zëri i sipërmarrjes duhet të dëgjohet përpara çdo vendimmarrjeje me karakter ekonomik" thuhet në reagim.
Shoqata "ProEksport Albania", gjithashtu ka kundërshtuar Paketën Fiskale 2027 dhe kërkon që qeveria të konsultohet me biznesin përpara se të miratojë ndryshimet. ProEksport Albania kërkon reflektim institucional dhe hapjen e menjëhershme të tryezave teknike të konsultimit, duke shtuar se nuk kundërshtojnë reformat fiskale, por vendimet që merren pa vlerësuar pasojat reale mbi prodhimin, eksportet dhe punësimin.
“Propozimet e reja të Paketës Fiskale 2027 kërkojnë një diskutim serioz me përfaqësuesit e biznesit përpara miratimit të tyre. Kërkojmë që të mos përsëritet praktika e vendimmarrjeve të njëanshme, siç ka ndodhur në vitet e mëparshme, pa një konsultim real dhe pa analizuar ndikimin në sektorët prodhues.
Rritja e propozuar e tatimfitimit nga 15% në 17% dhe pothuajse dyfishimi i tatimit mbi dividendin, nga 8% në 15%, përbëjnë një barrë shtesë për sipërmarrjet. Ndërkohë, lehtësimi i tatimit mbi pagat nuk prek segmentin e pagave minimale dhe të mesme të ulëta, ku përqendrohet pjesa më e madhe e punonjësve të industrisë sonë dhe ku, sipas nesh, ndërhyrja ishte më e nevojshme.
Pyetja jonë është e thjeshtë: Ku janë politikat mbështetëse për industrinë prodhuese të veshjeve dhe këpucëve?
Prej vitesh ky sektor përballet me zhvlerësimin e euros, rritjen e kostove, reduktimin e kapaciteteve prodhuese dhe humbjen e vendeve të punës. Në vend të masave që nxisin investimet, automatizimin, digjitalizimin dhe kalimin drejt prodhimit me vlerë të shtuar, po diskutojmë rritje të mëtejshme të barrës fiskale.
Shoqata ProEksport Albania, si organizata përfaqësuese e vetme e industrisë së veshjeve dhe këpucëve, një sektor që ka mbi 50 mijë të punësuar, kërkon reflektim institucional dhe hapjen e menjëhershme të tryezave teknike të konsultimit.
Nuk jemi kundër reformave fiskale, por kundër vendimeve që merren pa vlerësuar pasojat reale mbi prodhimin, eksportet dhe punësimin.
Institucionet duhet të kuptojnë se një sektor që prej kohësh ndodhet në vështirësi serioze ekonomike nuk ka nevojë për rëndim të mëtejshëm të situatës, por për politika që garantojnë mbijetesën, transformimin dhe konkurrueshmërinë e tij", thuhet në komunikatë.
Çfarë parashikon Paketa Fiskale 2027?
Paketa Fiskale 2027 synon të ulë TVSH-në për ushqimet në 6%, teksa aktualisht është 20%. Ndërkohë që nga 1 janari 2027, cigaret dhe produktet e tjera që përmbajnë duhan apo nikotinë pritet të përballen me rritje të akcizës. Sipas projektligjit të propozuar parashikohet rritja e normës së përgjithshme të TVSH-së nga 20% në 21%. Bizneset do të përballen me rritjen e tatimfitimit në 17% nga 15% që është aktualisht. Rritje do të ketë edhe tatimi mbi dividendët që për momentin është 8% duke shkuar në 15% nga viti i ardhshëm. Gjithashtu, duke nisur nga 1 janari, qeveria ka propozuar se pragu për TVSH-në të ulet nga 10 milionë lekë të reja që është aktualisht, në 5 milionë lekë të reja. Ndryshime parashikohen edhe në tatimin mbi të ardhurat nga pagat. Pragu për aplikimin e normës 23% propozohet të rritet nga 200 mijë në 300 mijë lekë. Ndërsa për pagat mbi 700 mijë lekë në muaj, parashikohet një normë e re tatimi prej 32%. /ZËRI