Politikë

"Bëni miq kryeministrat, por jo shqiptarët", Rama-gazetarit në Maqedoninë e Veriut: Çfarë je ti, protestues?

Kryeministri Edi Rama ka replikuar me një gazetar shqiptar në Maqedoninë e Veriut, i cili e pyeti për marrëdhëniet e tij me kryeministrat maqedonas dhe mungesën e interesimit për shqiptarët.

zh.ll
"Bëni miq kryeministrat, por jo shqiptarët", Rama-gazetarit
edi rama

MAQEDONI E VERIUT- Një moment tensioni është regjistruar gjatë konferencës së përbashkët për mediat mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut të tij maqedonas, Hristijan Mickoski, në Qafë Thanë, ku kreu i qeverisë shqiptare është përplasur me një gazetar shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Gazetari e pyeti për marrëdhëniet e tij miqësore me kryeministrat maqedonas, ndërsa sipas tij, mungon interesimi për shqiptarët dhe problematikat e tyre në këtë shtet.

“Ju shohim shpesh që bëni miq kryeministrat në Maqedoni, keni mik Ali Ahmetin, shpesh bëni edhe me Mickoskin, por jo shqiptarët dhe hallet e tyre. Asnjëherë nuk jeni interesuar për shqiptarët në vendin tonë, nuk e çelni gojën. Ju i keni miq kryeministrat apo do bëni miq shqiptarët?”, pyeti gazetari.

Rama e ndërpreu gazetarin, duke iu drejtuar me pyetjen: “Çfarë je ti, protestues?”. Më pas, vijoi të shpjegonte qëndrimin e tij, duke theksuar se Maqedonia e Veriut është një shtet sovran dhe se ai nuk ndërhyn në çështjet e brendshme të saj.

Reagimi i plotë i Ramës për gazetarin:

Dua të them disa gjëra, të cilat shpresoj t’i dëgjosh me të njëjtin respekt me të cilin i dëgjova unë.

Së pari, Maqedonia e Veriut është një shtet sovran, ku shqiptarët janë popullsi shtetformuese dhe i kanë të gjitha rrugët dhe mundësitë për t’u përfaqësuar. Për këtë arsye, nuk mendoj se i shërben marrëdhënies vëllazërore mes dy shteteve asnjë ndërhyrje e kryeministrave përkatës në punët e brendshme të shtetit tjetër.

Çështjet që ju shqetësojnë janë çështje që trajtohen dhe duhet të trajtohen gjithmonë nga Republika e Maqedonisë së Veriut. Shqiptarët kanë mjaftueshëm parti politike, madje mendoj se kanë më shumë sesa duhet, për t’i përfaqësuar dhe për të shpalosur të gjitha problematikat dhe opinionet e tyre.

Ju as më keni parë dhe as do të më shihni ndonjëherë të bëj fushatë për ndonjë parti politike këtu në Maqedoninë e Veriut. Po ashtu, nuk keni parë ndonjëherë që politikanët shqiptarë këtu të bëjnë fushatë në Tiranë apo të dalin në fotografi me mua.

Patjetër që ne kemi komunikim. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjithë përfaqësuesit politikë të Maqedonisë së Veriut për mbarëvajtjen e punës së përbashkët, por ka një vijë që nuk do ta shihni të kapërcehet: ajo që ndan përgjegjësitë e institucioneve shtetërore të dy vendeve dhe që u takon shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. /ZËRI

MOS HUMB