
TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedim penal në lidhje me zjarrin e rënë në ambientet e Urgjencës së re të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza". Organi i akuzës ka regjistruar procedimin për veprën penale “Shkatërrimi pronës me zjarr”. Përmes një njoftimi zyrtar, Prokuroria bën me dije se nuk ka persona nën hetim në lidhje me ngjarjen. Ndërkohë shton se nga ana e prokurorisë është urdhëruar administrimi i të gjitha provave për të dokumentuar shkakun dhe vlerën e dëmit të shkaktuar, si dhe personat përgjegjës për shkaktimin e dëmit.
Zjarri i rënë disa javë më parë ka shkaktuar kaos në Urgjencën e QSUT-së, e cila është ende sot jashtë funskionit. Ndaj edhe pacientët për raste të emergjencës drejtohen drejt spitalit të Traumës ose tek Sanotoriumi.
NJOFTIMI I PROKURORISË:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka regjistruar procedimin penal 1578, dt.29.02.2024 për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, parashikuar nga neni 151 i Kodit Penal. Ky procedim penal, është regjistruar pa persona në hetim, për të hetuar mbi zjarrin e rënë në katin e parë të Urgjencë së Qendrës Spitalore ‘Nënë Tereza’ në orët e para të mëngjesit të 11.02.2024.
Nga ana e prokurorisë është urdhëruar administrimi i të gjitha provave për të dokumentuar shkakun dhe vlerën e dëmit të shkaktuar, si dhe personat përgjegjës për shkaktimin e dëmit. Me administrimin e akteve proceduriale dhe akteve të ekspertimit do të konkludohet mbi shkakun e rënies së zjarrit dhe vatrës fillestare./ZËRI