
TIRANË- Këtë të shtunë do të mbahen zgjedhjet për kreun e ri të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Zgjedhjet do të zhvillohen në ambientet e Medresesë së Tiranës, ndërsa në garë janë tre kandidatë, Bujar Spahiu, Eduard Shefki dhe Emirjon Vathaj.
Bujar Spahiu është kreu aktual i KMSH, mandati i të cilit përfundon pasi e mori detyrën në vitin 2019. Eduart Shefki është administrator i Myftinisë së Durrësit ndërsa Emirjon Vathaj është Myfti i Beratit. Këto zgjedhje zhvillohen në një valë të nxehtë tensionesh dhe përplasjesh në KMSH.
Kjo pasi disa anëtarë të KMSH, myfti dhe studiues i kanë cilësuar zgjedhjet për kreun e KMSH si një farsë, të organizuar nga gylenistët, të cilët duan të zaptojnë instutucionin. Më herët, ka pasur incidente dhe në xhami, si tek “Dine Hoxha”, ku besimtarët shpërthyen në fyerje ndaj Myftiut të Tiranës Lauren Luli, të cilin e akuzonin si anëtar të organizatës “FETO”. Kjo e fundit është shpallur organizatë terroriste nga Ankaraja dhe Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan./ZËRI